Kreu i PD Lulzim Basha vijon të japë mesazhe të qarta kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha sa i përket mbajtjes së Kuvendit Kombëtar. Basha thotë se Ka vetëm një datë për Kuvendin dhe ajo është 18 dhjetori dhe jo 11 dhjetori siç kërkon Berisha.
Këto mesazhe Basha i përcjell duke ndarë një pjesë nga intervista e mbrëmshme e zhvilluar në Radarin Informativ në Abc me Jonida Shehun, ku flet dhe për rrugën e ndjekur nga Berisha dhe se si ndikon ajo në raport me kundërshtarët politikë.
“Unë besoj se rruga që ka ndjekur nuk i ka dhënë produktin e dëshiruar. Për më shumë dhe për fat të keq, faktor ekstra-politikë që s’kanë lidhje me interesat e demokratëve të krimit të organizuar oligarkë por edhe kundërshtari jonë politik është investuar që diçka të nisur nga Berisha për interesin e tij personal ta shfrytëzojë për të përçarë PD. Kësaj i është dhënë përgjigje përfundimtare me 15 nëntor, ka një PD dhe një Kuvend me 18 dhjetor”, thotë Basha.
Një Parti, një Kuvend! #18Dhjetor✌? pic.twitter.com/AGTEb3coVJ
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) December 1, 2021
Nga studioja e ABC mbrëmjen e djeshme, Basha u shpreh se nuk pendohet për vendimin që mori për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, pasi SHBA e shpalli “non grata”. Hera e fundit që ka folur me të, kreu demokrat tha se ka qenë një shkëmbim mesazhesh, kur ish-kryeministri e ka ngushëlluar për humbjen e të atit. Kryedemokrati tha se është i hapur për t’u ulur në një tryezë me Berishën me një kusht, që të tërhiqet nga aksioni që ka ndërmarrë dhe akuzat që ka bërë.
Pa përgjigje Basha nuk la as presidentin Meta. Ai i quajti “mashtrime” deklaratat e presidentit, i cili ka thënë se kreu i PD i është ulur në gjunjë që të anulonte zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019. Madje i bëri thirrje Metës të thotë të vërtetën se kush ia ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve. Përfshirja e Metës në fushatë sipas Bashës ishte shkatërrimtare për LSI dhe me kosto për PD. Duke theksuar se nuk ka hapur “front lufte” me Metën, kreu i PD u shpreh se përplasjet e fundit me të kanë ardhur pasi ka vendosur të thotë të vërtetat, “troç”. be.k/abcnews.al