“Takimi i vetëm që kam është ai me qindra mijëra shqiptarë më 16 Mars”. Është kjo përgjigja e kreut të demokratëve, Lulzim Basha, ndaj kryeministrit Rama, i cili një ditë më parë e ftoi liderin e opozitës të dialogonin. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se nuk ke me kë të bisedosh dhe nuk mund të vazhdohet me një qeveri të lidhur me krimin dhe që është kapur në flagrancë duke vjedhur vota.
Në përfundim të një takimi që zhvilloi me krerët e degëve të forcës politike që drejton si dhe ata të departamenteve të kësaj selie, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i dha përgjigjen e parë, ftesës për t’u ulur në diskutime, të artikuluar për herë të parë nga kryeministri Rama nga nisa e krizës politike në vend.
“Takimi i vetëm që unë kam është ai me qindra mijëra shqiptarë më datën 16 mars në protestën e madhe kombëtare dhe, natyrisht, edhe takimet e tjera para asamblesë së krimit, që ka uzurpuar ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë”.
Problemin e sheh tek mungesa e faktorit politik në palën tjetër i zëvendësuar me atë kriminal e korruptiv sipas Bashës, ndaj…
“Më kë të dialogosh, me Rrajën, me Çyrben apo me Vangjush Dakon? “
Deklaratat e tetë delegatëve të Parlamentit Europian të cilët kauzën Lulzim Bashës ja vunë përkundër integrimit europian duke vulosur çertifikimin e legjitimitetit të qeverisë aktuale edhe sikur të gjitha akuzat e demorkatëve të jenë të vërteta, kryedemokrati i quajti produkt i mos-informimit nga njerëz që krijojnë ide mbi shqipërinë nga ballkonet e tyre luksoze.
“Shqiptarët nuk hanë dhe pinë në pritje luksoze në Rogner, nuk hanë e pinë në përfaqësi diplomatike, jetojnë në kushte shumë të vështira. Detyra jonë është që t’i përgjigjemi nevojave dhe kërkesave të tyre dhe për këtë, jam i bindur, që të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar që kanë interesat e vendit tonë në mendje dhe në zemër, dhe duan që Shqipëria të jetë si gjithë Europa, nuk mund të kërkojnë asgjë më pak në raport me qytetarët shqiptarë, sesa ç’kanë për qytetarët e tyre”.
Kandidatët në listat shumë-emërore të opozitës, të cilët duke refuzuar vendimin politik të partive që i kanë kandiduar, kanë nisur rrugëtimin e marrjes së mandatit të deputetit, Lulzim Basha i sheh si produkt i kalbjes së sistemit që për të vërteton se kësaj qeverie i ka ardhur fundi.
/abcnews.al