Basha humbi zgjedhjet, Imami: S’e kuptoj përse rri, është një kalë që s’e tërheq dot atë karrocë

schedule22:36 - 29 Prill, 2021

schedule 22:36 - 29 Prill, 2021

Arben Imami, themeluesi i Partisë Demokratike, i ftuar në emisionin “Log.” , foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe kërkesën e kritikëve për largimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafo, ai theksoi se kryedemokrati, sipas tij duhet të japë dorëheqjen, ndërsa u shpreh se Partia Demokratike ka nevojë të riformohet.

Lexo edhe: Nga përgatitja e listave te djegia e mandateve e roli i Bashës, Imami tregon në “Log” pse humbi sërish PD

“Rezultati i zgjedhjeve është si në 2017. Shumica e sotme socialiste me aleatët e saj ka 77 vende. Ka pasur një lëvizje masive nga LSI tek PD. Edhe në 2017 unë e kam thënë që zgjedhjet nuk do të fitohen sepse mënyra e drejtimit është paaftësi.

Ky rezultat,  jo për një lider modern perëndimor , por edhe për një lider ballkanik të bën që të japësh dorëheqjen. Kjo nuk është çështje personale, por është një çështje që ajo parti të riformatohet, të gjejë rrënjë ideologjike, sepse është bërë një parti pragmatiste… Po ta shohësh është i njëjti diskurs, një ligjërim që nuk është i PD. Më vjen keq që shoh edhe kolegë të mi që mbrojnë gjëra që nuk mbrohen dot”, tha Imani.

Sipas Imamit, kushdo që ka vullnet për të sjellë ndryshimin, mund ta riformatojë Partinë Demokratike.

Pjesë nga biseda në studio:

-Si shpjegohet që Basha vazhdon të qëndrojë në parti?

“Kjo nuk është pyetja ime, është për koshiencën e zotit Basha. Këtu me ndihmën e këtij zotërie mund të instalohet një regjim. Është një kalë që nuk e tërheq dot atë karrocë”, tha Imami.

Më tej ai shtoi:  Një drejtues partie që ka humbur dy palë zgjedhje parlamentare, i cili ka qenë i paralajmëruar që para 4 vitesh të mos vazhdonte këtë rrugë, nuk e kuptoj përse rri.

-Kush e mban? E mban Sali Berisha?

Imami: Nëse Partia Demokratike fakton sot, siç ka faktuar në 2001 shkatërrimin e zgjedhjeve, ka plotësisht të drejtë. Por nëse Sali Berishës do t’i kishin vjedhjet në 2005 po njësoj, t’i mendon se Sali Berisha do të rrinte aty? Unë për aq sa e njoh për karakterin, moralitetin që ka, nuk do ta bënte. Nëse ka një shans që të vërtetohen këto shkelje, Berisha ka bërë mirë që nuk ka nxituar, të thotë për Bashën që të qëndrojë apo të ikë.

Berisha e ka thënë qartë 2 javë para zgjedhjeve që përgjegjësia për këto zgjedhje është e kryetarit të partisë, në këto përgjegjësi përfshihet edhe dokumentimi i “masakrës elektorale”, nëse kjo vërtetohet sepse nuk është vërtetuar. Nëse kryetari i PD-së do të deklaronte se nuk i njeh zgjedhjet dhe do të kërkonte kohë për të vërtetuar vjedhjen atëherë do ta prisnin, por kjo nuk ndodhi.

Po ashtu Berisha ka thënë se me modelin tim kam treguar se si veprohet kur humben zgjedhjet. A ka më nevojë të qartësohet më shumë kjo… Pra, besoj që duhet të ketë një prononcim të qartë, nëse Basha duhet të qëndrojë aty apo të japë dorëheqjen. Unë them që Berisha është zëri i rëndësishëm në atë parti sot, por nuk është përgjegjësi e tij e vetme.

-A keni ambicie të drejtoni PD?

Imami: E vetmja ambicie që do të kisha është që PD të ecë përpara.

-Kush mund ta përbashkojë partinë?

Imami: Partinë mund ta bashkojë kushdo që ka vullnetin për ta bashkuar.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!