Politologu Alban Daci në një intervistë në “Real Story” në ABC News, komentoi ‘heshtjen’ e kreut të PD Lulzim Basha, pas arritjes së marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit për ngritjen e komisioneve hetimore.
Sipas tij Basha duhet të përballet me ide dhe se duhet t’i qëndrojë koherencës.
“Çdo lider ka të drejtë të zgjedhë stilin e lidershpit të tij. Basha ka zgjedhur të bëjë një lider të versionit holandez, por që në Shqipëri është një lidership i gabuar. Jam i idesë që kundërshtari duhet të përballet me ide, në studio, dhe shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për mesazhe të qarta dhe qëndrime të qarta sidomos demokratët. Disa janë të lodhur disa të dëshpëruar. Demokratët kanë nevojë për një njeri me dinjitet dhe një njeri për të mundur Ramën, por që të mundësh Ramën nuk duhet të jesh si Rama, por më i fortë se Rama. Historia ka treguar që një lider edhe mund të ringrihet, por zoti Basha duhet t’i rikthehet dialektikave publike dhe t’i qëndrojë koherencës. Mundësia e vetme që Basha të jetë faktor është koherence”, tha më tej politologu Daci.
Gjithashtu Brizida Gjikondi nënvizoi se Bashën e komplekson e shkuara dhe se nuk mund të shkëputet dot nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Heshtjen e tij e shoh si skeleti që ka ai në sirtar. Edhe të dojë të ndahet, ai nuk ndahet dot nga Berisha. E komplekson e shkuara dhe Berisha i ka shumë skelete në duar. Pra mendon se edhe do mbajë partinë, edhe Berisha nuk do e godasë”, tha Gjikondi.
/abcnews.al/