Basha hapi garën për kryetar të FRPD-së, Vokshi: Mos u hakmerrni

schedule22:42 - 5 Nëntor, 2021

schedule 22:42 - 5 Nëntor, 2021

Lidershipi i PD-së është futur në një përplasje të re brenda partisë, pasi Lulzim Basha njoftoi hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri të FRPD-së. Vetë FRPD, ish-kryeministri Sali Berisha dhe së fundmi Albana Vokshi, që është kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas shqiptare e kanë kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës.

Vokshi përmes një postimi në Facebook shprehet se si LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të statutit të tyre dhe askush, sipas saj, as kryetari i PD, nuk ju merr dot vendimmarrjen.

“Partia Demokratike ka nevojë për demokraci, jo arbitraritet! Statuti i Partisë është i qartë: vendim-marrja e brendshme nuk lihet në një dorë. Përkundrazi, ajo është e shpërndarë mes një sërë organesh dhe drejtuesve të ndryshëm.

Organizatat Partnere të Partisë Demokratike, LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre. Askush, as Kryetari i PD, nuk ju merr dot vendimmarrjen.

Asnjë organ,  asnjë funksionar nuk mund të uzurpojë pushtetin që statuti ja njeh një forumi, organi apo funksionari tjetër.

Vecanërisht në situata  debati apo përplasjesh të brendshme, inati,  hakmarrja, intrigat nuk duhet të  prevalojnë ndaj statutit.

Përkundër, Statuti është vendimtar dhe mbi të gjitha ceshtjet e mbi te gjithë.

Pas 31 vjetësh, cdo demokrat është në mision, për t’u bashkuar për të ringritur partinë nëpërmjet fuqizimit të anëtarësisë, forcimit të demokracisë të brendshme, respektimit të  fjalës dhe mendimit të lirë” shprehet ajo.

Dy ditë para takimit të planifikuar nga Sali Berisha me të rinjtë demokratë, kreu i PD Lulzim Basha hapi garën për kreun e ri të FRPD. “ABC” mësoi se të dielën në “Foltoren” e Berishës pritet të shkojë edhe kryetari aktual i këtij forumi, Belind Këlliçi, i cili e quajti vendimin e Lulzim Bashës nul.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!