Basha-grupit parlamentar: 6 marsi ishte kurth, kemi fakte. Kemi 2 rrugë, të rrimë bashkë ose t’i japim partinë Berishës

schedule20:57 - 7 Mars, 2022

schedule 20:57 - 7 Mars, 2022

Në mbledhjen e grupit parlamentar pas humbjes në zgjedhje, kreu i PD Lulzim Basha, ka përsëritur deklaratën e pak orëve më parë, duke thënë se 6 marsi ishte një kurth pas 8 janarit, ditën kur u zhvillua protesta e udhëhequr nga Sali Berisha në selinë blu.

“6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosem para detyrimit për të marre pjese ne zgjedhje”, ka thënë Basha sipas mesazheve të zbardhura nga gazetari Juxhin Mustafaraj.

Procesi i 6 marsit sipas Bashës kishte parregullsi, ndaj ai theksoi sërish se nuk ka humbur asnjë garë. “Skam humbur asnjë garë. Parregullsitë që kanë shoqëruar proceset janë të dokumentuara”.

Gjatë mbledhjes Basha u ka thënë deputetëve se përpara kanë 2 rrugë, ose të bëhen të gjithë bashkë ose të ja dorëzojnë partinë Berishës. “Të dashur kolegë i kuptoj shqetësimet tuaja por diçka duhet te kuptoni. Ka dy rrugë përpara. Ose rrimë të gjithë bashkë dhe e bëjmë riorganizimin e kësaj partie ose ndryshe ja dorëzojmë Sali Berishës. Ai atë qellim ka ta marrë Partine Demokratike për tu mbrojtur nga non grata e SHBA“, tha Basha.

Pas përfundimit të numërimit të votave, fajtorin për masakrën elektorale të radhës Basha u mundua ta gjente jo si dikur tek kundërshtari i tij politik në kampin rozë, por tek armiku “non grata” , që tha se zhvilloi me të një luftë personale. “Aleanca e non grata-ve, kërcënoi bashkë me bandat në Vorë komisionerët vendas. Trekëndëshi i Bermudës çdo gjë e ka për interesa personale dhe do ta kthejë edhe këtë në interesin e vet personal dhe do ta kthejë në luftë personale.”

Pavarësisht humbjes së thellë Basha tha se do të qëndrojë në krye të saj për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.  “Lufta ime nuk është për fatin tim personal, është për fatin e shqiptarëve, kushdo që më kërkon të braktis në veçanti në këtë betejë detyrën time do të zhgënjehet.” 

Rezultati në zgjedhjet e 6 marsit

Zgjedhjet e 6 marsit konfirmuan si shumicë absolute Partinë Socialiste në 5 bashki ku u mbajtën zgjedhje të pjesshme, por pavarësisht ambicies Shkodra vijon të jetë një kala e vështirë për tu marrë nga socialistët. Bardh Spahia vijon të mbaj një trend me mbi 2 mijë vota diferencë me kandidaten socialiste Majlinda Angoni, teksa Xhemal Bushati i PD nuk mundi në asnjë moment të garës të ishte rivalizues me votat e marra. Emiriana Sako s’do të jetë më një kryebashkiake e komanduar në Durrës. Në 6 mars, qytetarët e Durrësit, ndonëse në pjesëmarrje shumë të ulët i dhanë Sakos të drejtën për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. I dyti u rendit urbanisti Ardian Muka i propozuar nga Berisha dhe koalicioni shtëpia e Lirisë, ndërkohë që Luan Hoti i PD nuk mundi të arrij as në shifrën e 10 mijë votave.

Dibra do të vijoi të qeveriset nga socialistët. Lushnja do të qeveriset në pushtetin vendor për herë të parë nga një grua. Eriselda Sefa do të drejtojë deri në zgjedhjet e ardhshme bashkinë pasi u shpall fituese me 58% të votave. Edhe në këtë bashki i dyti rezultoi kandidati i propozuar nga koalicioni mes Berishës dhe Kryemadhit, Elton Bano. Sekretari i PD, Indrit Sefa mori një numër minimal votash, duke gëzuar mbështetjen e vetëm 10% të qytetarëve. Rrogozhina do të ketë një kryebashkiak socialist. Vora prodhoi rezultatin më të dobët të Partisë Demokratike në këto zgjedhje.

be.k/abcnews.al