Partia Demokratike e vulës ka heshtur për Kukësin, duke ia lënë vendimarrjen degës lokale atje për të dhënë verdiktin për 24 shtatorin, kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiakun. Nuk ka asnjë qëndrim të shprehur prej Lulzim Bashës, nëse ai do e çojë logon që e rimori për herë të 4-të, në garë përmes një kandidati apo jo.
Këtë të hënë, sipas burimeve, në selinë blu të Berishës ka mbërritur një liste me 10 emra kandidatësh, për garën e 24 shtatorit. Emrat janë propozuar nga baza e demokratëve në Kukës, nga të dyja grupet e PD-së. Mes tyre emri që tërheq më shumë vëmendje është ai i kreut të PD-së zyrtare të Kukësit, Arif Rexhmati, i përfolur së fundmi në media si ndër kandidatët më të mundshëm.
Do të jetë Rexhmati i Bashës, zgjedhja e Berishës, kjo burimet thonë se me shumë gjasë do të vendoset përmes Primareve. Në listë është dhe kandidati i Foltores, që humbi në 14 maj, Admir Sinamati, nën logon e koalicionit me Ilir Metën, “Bashkë Fitojmë”.
Por ndërsa Basha hesht, nga PD zyrtare ka reagime të shpeshta, që tregojnë se ata interesohen për procesin. Zëdhënësja e PD-së, doli në një deklaratë zyrtare edhe këtë të hënë, duke akuzuar Celibashin pse vendosi t’i jap Partisë së Metës, dy komisionerët, që sipas ligjit i takojnë partisë më të madhe në opozitë. Zëdhënësja e PD-së thotë se Celibashi është duke i shërbyer oligarkisë politike dhe shton se demokratët duhet ta ndalin këtë gjë.
“Kjo mund të arrihet vetëm me zgjedhjen e një kandidati i cili vendos Kukësin dhe familjet kuksiane para intrigave meskine politike dhe që detyrën e konsideron si përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.”, theksoi Mirela Karabina.
Pak pas kësaj deklarate, PD zyrtare dorëzoi një ankimim në KQZ, konkretisht Komisionit të Ankimimeve, përmes të cilit kërkohet të zhbëhet vendimi i Celibashit, dhe t’i jepen asaj dy komisinerët e KZAZ-së në Kukës.
Këto reagime shtrojnë një pyetje. Nëse Basha vendos të mos ketë kandidat, përse PD kërkon komisionerë në Kukës? A po e përdorë Lulzim Basha, këtë si alibi, për mos marrjen pjesë në zgjedhje? Partitë kanë afat deri më 1 shtator, për tu regjistruar për zgjedhje, ndërkohë ata që do të përballen në betejë, duhet të jenë zgjedhur deri në datë 8.
E sigurt është që Sali Berisha nuk do të pranojë që kandidatin e tij ta garojë përmes logos së PD-së. Kjo në rast se Luzlim Basha vijon të heshtë e t’ia lërë Berishës kandidatin e opozitës. Foltorja do të garojë përmes një koalicioni, si e vetmja mënyrë e saj kur nuk ka asnjë vulë, e as logo./abcnews.al