Analisti Mentor Nazarko thotë se Lulzim Basha ka zgjedhur qëllimisht që të mos përplaset me deputetët e Foltores që mbështesin Sali Berishën, apo edhe që të mos bëhet shumicë mes demokratëve.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko u shpreh se nëse Basha do të kishte si qëllim që të kishte shumicën në Partinë Demokratike, do të ishte më aktiv dhe do të distancohej në mënyrë reale nga berishizmi.
Sipas Nazarkos, Basha kërkron të ruajë pozicionin e privilegjuar që ka për shkak se është alternativa reale, që ka edhe vulën e partisë.
“Në kushtet kur kjo përplasje brenda demokratëve nuk po prodhon një iniciativë të re, një cilësi të re, një marrëveshje të re mes tyre, atëherë mund të kemi mbajtje të status quo-së, ose ndryshime të vogla që shumica do t’i kalojë me votat e veta. Pra, unë nuk po shoh zgjidhje dhe as propozime të kësaj pjese të demokratëve që të sjellin cilësi ose zhvillime të reja përpara. Kam frikë, se në tërësinë e sjelljeve të veta, partia e zotit Basha, duket sikur është e interesuar për të pasur një Parti Demokratike që të ketë një përqindje të vogël bllokuese në zgjedhjet e ardhshme. Mua më duket sikur ka një zgjedhje të qëllimshme të zotit Basha, që të mos hyjë në përplasje me pjesën tjetër, ose të mos tentojë që të arrijë të bëhet shumicë brenda demokratëve. Po të kishte një qëllim të tillë, do të ishte më pro aktive, do të kishte më prani mediatikisht, do të kishte distancim real nga berishizmi. Unë nuk e shoh këtë.
Qëllimi real i sjelljes së kësaj pjese të demokratëve, është që të ruajnë pozicionin e privilegjuar që kanë për shkak se janë alternativa reale, alternativa e vulës. Mendoj se ky është qëllimi real i Partisë Demokratike të zotit Basha. Pala tjetër kërkon ta prishë status quo-në. Partia e zotit Berisha ku edhe Bardhi i është bashkuar, synon ta prishë status quo-në dhe të jetë edhe faktor legal”, theksoi ai./abcnews.al