E enjtja rezultoi një ditë e gjatë diskutimesh e negociatash për krydemokratin Lulzim Basha për të kthyer përgjigjen përfundimtare për Reformën Zgjedhore.
Ditën e tij të punës, kreun e opozitës e nisi me një takim konsultues me të mandatuarin e Partisë Demokratike në tryezën e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
Disa metra larg selisë blu, diplomatët e angazhuar për të nxitur palët drejtë një drafti konsensual për Reformën Zgjedhore u mblodhën në një takim konsultues në zyrën e diplomatit të BE-së, Luigi Soreca.
Në takim merrnin pjesë edhe ambasadorja e SHBA, ai i Britanisë së Madhe por edhe ambasadori i OSBE, Borchard dhe ai Gjerman Zingraf.
Në përfundim të takimit, ambasadorët nuk folën duke i dhënë sërish kohë opozitës të thotë fjalën e saj.
Orët e tij të konsultimeve me ekspertët zgjedhore, Basha i ndërpreu në mesditë kur në një drekë pune u takua me ambasadorin Gjerman, Peter Zingraf, i cili ishte edhe në takimin konsultues me diplomatët e tjerë.
Pas drekës së punës që zhvilloi me ambasadorin gjerman, Basha ftoi në zyrën e tij për një takim konsultues Monika Kryemadhin, Shpëtim Idrizin dhe Fatmir Mediun.
Çështja e administratës zgjedhore vijon të mbajë të ndara maxhorancën dhe opozitën. Formula e propozuar nga shumica e cila gëzon edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar i formaton komisionet zgjedhore me 3 anëtarë të zgjedhur nga administrata publike përmes një shorti rastësor.
Anëtarët përgjegjës për procesin zgjedhor do të monitorohen nga 4 përfaqësues të propozuar nga mënyrë të barabartë 2 nga maxhoranca e 2 nga opozita. Pikëpyetjet e opozitës lidhen me një dështim të mundshëm të teknologjisë në zgjedhje dhe për këtë kërkon që në çdo zonë ku identifikimi biometrik nuk do të funksionojë, formatimi i komisioneve zgjedhore të jetë ai aktuali me përfaqësues të propozuar nga forcat politike.
Pas 2 orë negociatash, aleatët e demokratëve u larguan pa një dakordësi nga selia blu.
Pas orëve konsultimesh me ekspertët e tij zgjedhorë Lulzim Basha ende nuk e ka përgjigjen definitive, sa i i takon kompozimit të komisioneve zgjedhore dhe komisioneve të numërimit në zgjedhjet parlamentare të zgjedhjeve të vitit 2021. /abcnews.al