Basha: Duhet shkatërruar sistemi i konsoliduar nga Edi Rama

schedule09:56 - 27 Nëntor, 2018

schedule 09:56 - 27 Nëntor, 2018

Gjatë një interviste me gazetarin Adi Krasta, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk po e përdor protestën e banorëve të zonës së Astirit për të përfituar politikisht. Basha tha se është detyra e opozitës të jetë pranë banorëve të 317 shtëpive që do të prishen, sipas tij, në shkelje të ligjit. Ai përsëriti akuzat se projekti i Unazës ë Re është një megavjedhje 40 milionë euro e taksave.

Basha tha se prej kohësh Partia Demokratike është e detyruar të jetë në një betejë misionare, jo në një betejë elektorale, pasi sipas tij gjithë koha e opozitës konsumohet nga trauma që i është shkaktuar shtetit, popullit, nga kriminelët në politikë dhe nga kapja e ekonomisë nga oligarkët. “Pa fituar këtë betejë misionare, për të rikthyer demokracinë, ndarjen e pushteteve, nuk mund të bëhet fjalë për një debat normal politik, prandaj edhe beteja e PD-së nuk është një betejë normale politike,”- tha kryedemokrati.

Këtë betejë ai e krahasoi me atë të zhvilluar para 3 dekadave, për të rikthyer besimin se Shqipëria mund dhe do të bëhet. Sipas Bashës tre prioritetet e opozitës mbeten pastrimi i institucioneve nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe çlirimi i ekonomisë nga oligarkët që kontrollojnë fondet e pasuritë e shqiptarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!