Basha: Brenda mandatit të parë mbyllim pagesat për familjet e persekutuara, do ngremë muze

schedule15:28 - 20 Shkurt, 2021

schedule 15:28 - 20 Shkurt, 2021

Kryedemokrati Lulzim Basha ka prezantuar programin për ish- të përndjekurit politikë në 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Basha tha se brenda mandatit të parë PD do të mbyllë pagesat për familjet e persekutuara dhe do të ngrihet një muze kujtese. Basha u shpreh se pensioni për ish- të përndjekurit politikë do të jenë mbi 100 euro. Lideri i PD theksoi se do të krijohet fondi për të gjetur trupat e njerëzve të pushkatuar nga regjimi.

“Sot është dita kur kujtojmë 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës. Është dita e mposhtjes së komunizmit. Beteja e demokracisë sot vazhdon dhe është më e fortë se kurrë. Na duhet të luftojmë me të njëjtin pasion për demokracinë në Shqipëri. Për të cituar Biden në fjalën e tij të djeshme, sepse demokracia është diçka për të cilën duhet luftuar çdo ditë. Misioni i PD është të ecim përpara në këtë proces pa as edhe një hap pas.

Realiteti i këtyre 8 viteve është kthim pas për shkak të Edi Ramës. Ne nuk kemi heshtur. Ne nuk do të heshtim derisa këtë betejë ta fitojmë më 25 Prill. Fitorja do të marrë formë më 25 Prill. E vetmja mënyrë për të garantuar fitoren e Shqipërisë është fitorja e 25 Prillit.

Ka vetëm një alternativë që është ecja përpara dhe konsolidimi i demokracisë. Ditën e sotme kemi zgjedhur për të diskutuar një nga aspektet e rëndësishme pas fitores së 25 Prillit. Ne zotohemi që brenda mandatit të parë të përfundojmë pagesat për familjet e persekutuara nga regjimi komunist. Personalisht kam takuar të persekutuar që sot e kësaj dite nuk kanë një gur varri ku të kujtojnë të afërmit.

Ne angazhohemi për fondin e posaçëm. Qeveria e ardhshme do të ofrojë kredi të buta për çiftet e reja nga familjet e persekutuara. 100 euro shtesë mbi pensionet e tjera. Shqiptarët meritojnë respekt. Historia jonë meriton të njihet. Angazhohem për ngritjen e muzeut në nderim të viktimave të rëna gjatë komunizmit. Angazhohemi për ngritjen e monumenteve kujtimore në respekt të personaliteteve të veçanta. Ka ardhur koha që shoqëria të çlirohet nga prangat që i mbajnë akoma duart e lidhura. Angazhohem për miratimin e një ligji që do të jetë apologji për 30 vitet e munguara”, u shpreh Basha./mv.abcnews.al