Basha: Berisha po përgatitet që të sulmojë selinë e PD-së

schedule12:07 - 4 Janar, 2022

schedule 12:07 - 4 Janar, 2022

24 orë përpara skadimit të ultimatumit që Sali Berisha i vendosi Lulzim Bashës për të lënë selinë blu ka nisur tensionimi i situatës mes dy kampeve. Lideri i PD-së akuzon se Sali Berisha po përgatit një sulm kundër selisë blu në protestën e thirrur nga ish-kryeministri në datë 8 Janar.

Situatën e nxehën punimet që nisën prej ditës së djeshme në selinë blu, që sipas PD-së janë në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë, por lideri historik i PD-së dhe mbështetësit e tij e cilësojnë bunkerizim për të mbajtur partinë me forcë.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, PD akuzon Sali Berishën se shoqërohet me trafikantë droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar.

Reagim i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur. Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!

Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë. Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar.

Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriket dhe zyrat e tyre. Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!