Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën sotme takim me gjimnazistët duke u njohur më vështirësitë, proceset e mësimdhënies dhe alternativat që kanë të rinjtë për punësimin.
Basha deklaroi se rinia shqiptare është motivimi i Partisë Demokratike.
Ndërkohë të rinjtë deklaruan se ajka e shoqërisë shqiptare nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të largohet jashtë vendit.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga të rinjtë është mungesa e informacionit për të prekurit më Covid.
“Ne nuk njoftohemi për personat që preken me Covid”, tha një nga nxënësit.
Basha theksoi se qeveria u tregua e papërgjegjshme dhe se nuk u mor asnjë masë për higjienën minimale në shkolla, ndërsa shtoi se 70% e shkollave nuk kanë ujë të rrjedhshëm.
Duke u ndalur tek problematikat e arsimit, kreu i opozitës tha se garancia për një nivel të mirë studentësh, është cilësia e arsimit parauniversitar.
“Nuk mund të pretendojmë ne të kemi studentë të niveleve të larta në qoftë se nuk garantojmë cilësinë e arsimit para universitar, gjimnazet, shkollat nëntë vjeçare, që nga klasa e parë. Aty fillon të mbillet fara e cilësisë aty fillon të induktohet talenti.
Tani ne jemi racë e zgjuar, e fortë, mbijetuese dhe askush nuk e tregon këtë më mirë se sa rinia shqiptare me gjithë këto deprivime të tuajat të familjeve tuaja. Kur ju shoh, kur ju dëgjoj nuk ju mungon asgjë krahasuar me rininë evropiane. Detyra e vetme e qeverisë është të garantojë që sistemi arsimor të funksionojë normalisht. Prindërit tuaj i bëjnë detyrat tuaja, heqin bukën nga goja kur i thonë për arsimin.
Shqiptarët heqin bukën nga goja për arsimin e fëmijëve të tyre, ju bëni detyrat tuaja, ia shpërbleni me punë familjeve tuaja, me përkushtim, me rezultate më të mira të mundshme edhe si gjimnazist edhe si studentë.
Pra, prindërit e bëjnë detyrën e tyre, fëmijët e bëjnë detyrën e tyre, vetëm njëri s’po e bën detyrën, shteti, qeveria, kryeministri, dhe për të mbuluar dështimin gjen lloj lloj fajtorësh imagjinarë e lloj lloj justifikimesh. Shtatë vite dështime për të përmbushur premtimet e veta për një arsimim cilësor evropian. Shtatë vite premtime të pambajtura për të financuar arsimin të paktën në nivelet e mesatares së rajonit. Jemi në nivelin më të ulët të financimit në çdo fushë”, tha Basha.
/abcnews.al/