Në një takim me të gjitha shoqatat e bizneseve, Partia Demokratike prezantoi alternativën e saj ekonomike këtë të premte. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokracia. Sipas tij, oligarkia në vend po rrënon biznesin e vogël dhe të mesëm si dhe po dekujaron biznesin e madh.
“Oligarkia meriton të njëjtën luftë si krimi. Ajo vjedh e grabit të sotmen dhe të ardhmen, njësoj si krimi. Një grusht kompanish të oligarkëve dhe rrjetit të tyre fitojnë thuajse të gjithë tenderët shtetërorë, kontratat PPP, lejet e licensat, me çmime super favorizuese për ta, me fonde limite qe i caktojnë vetë dhe i fitojnë vetë. Grabitje e financave publike, rritje e borxhit për çdo shqiptar. Oligarkia, në bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, po rrënon biznesin e vogël e të mesëm dhe po dekurajon edhe biznesin e madh, që nuk është pjesë e tepsisë së pushtetit”, tha ai.
Basha tha se PD ka shpallur edhe platformën për shkatërrimin e “sistemit oligarkik”, sipas së cilës nuk do të mbetet në fuqi asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive.
“Asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës të ligjshmërisë mbi oligarkët e nëse gjendet në keqbërje ndaj popullit e vendit, do të konfiskohet. Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhet pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete”, u shpreh Basha./abcnews.al