Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u thirr sot në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen Toyota Yaris.
Gazetari i ABC Ermal Vija bën me dije se marrja në pyetje ka zgjatur 2 orë e 20 minuta. Basha është vënë përballë pyetjeve se ku e kishte siguruar informacionin në lidhje me 3.4 mln euro që vinin drejt vendit tonë me Toyota Yaris kur aksioni u finalizua dy ditë pas deklaratës që Basha bëri në Kuvend duke drejtuar gishtin nga socialisti Taulant Balla.
Një tjetër pyetje që Bashës i është dashur t’i japë përgjigje para prokurorëve belgë është edhe nëse ka dijeni në lidhje me faktin se kush ka qenë destinacioni i këtyre parave.
Në daljen për mediat pas përfundimit të dëshmisë Basha deklaroi se drejtësia belge do i shkojë deri në fund kësaj çështje dhe se ai është i gatshëm të bashkëpunojë “duan apo nuk duan non gratat e shpallura dhe të pashpallura”. /abcnews.al