“Baroni i drogës që nuk arrestohet”/ Kush është Gëzim Çela, lidhja e tij me Ervis Martinajn

schedule20:33 - 15 Tetor, 2023

schedule 20:33 - 15 Tetor, 2023

Nga Etleva Delia 

Nga dyshimet për vrasjen e 3 policëve në Itali në 1998, shfrytëzimi i prostitucionit, arrestimi në Turqi për trafik heroinë e shpallja në kërkim në Shqipëri

Për vite me radhë drejtësia italiane e ka konsideruar “baron droge”. E ka shpallur në kërkim dhe e ka dënuar në mungesë me 20 vjet burg. Ka pritur gjithmonë ekstradimin e tij edhe pse nuk u krye kurrë.

Ndërsa drejtësia shqiptare e quan thjeshtë “shpërndarës” ose “shitës”. Si hallka e fundit dhe më e rëndomte në zinxhirin trafikues të lëndëve narkotike.

Ky është Gëzim Çela, nga fshati Fushë-Kuqe i Kurbinit. Prej më shumë se 9 vitesh është shpallur person në kërkim nga Policia Shqiptare. U akuzua për një laborator droge të zbuluar në Fushë-Kuqe dhe një tjetër në Pejë të Kosovës. E megjithatë nuk është arrestuar asnjëherë. Nuk u arrestua as në operacionin e radhës, më 9 tetor 2023, operacion ku mori pjesë edhe DEA amerikane.

Kaq lidhje të forta mund të ketë një njeri që sipas gjykatave tona është thjeshtë një shpërndarës droge?

“I pandehuri Gëzim Çela, veprimtaria e të cilit në ‘zinxhirin’ trafikues verifikohet me cilësinë e ‘shpërndarësit’, ‘shitësit’ në instancë të fundit, të lëndës narkotike të siguruar prej personit të paidentifikuar, rezident në kontinentin amerikan…” kështu thuhet në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Gëzim Çela sot është 55 vjeç, por emri i tij ka nisur të regjistrohet në skedat e Policisë që kur ishte 22 vjeç dhe u dënua për herë të parë nga Gjykata e Triestes në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Për vite me radhë ai është akuzuar e dënuar disa herë në mungesë, në Itali dhe në Shqipëri, por edhe kur është arrestuar nuk ka qëndruar gjatë në burg. Ia ka dalë me raporte mjekësore false, duke shpikur sëmundje që nuk i kishte.

Sot emri i tij del sërish në skenë. Por edhe këtë herë si i kërkuar. Ai prapë nuk u arrestua dot. Nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, vetëm një urdhër u ekzekutua. Veprimet e datës 9 tetor 2023 ishin në vazhdim të operacionit “Flakë në det”, të datës 15 gusht 2023, ku u sekuestruan 23 kg kanabis e nisur nga Patoku, që do të shkëmbehej me kokainë 12 milje nga bregu. Ai që u vu në pranga mbrëmjen e së hënës ishte shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj. Ndërsa 3 të tjerët, përfshirë Gëzim Çelën, që për vite me radhë është konsideruar “baroni i drogës”, u shpallën në kërkim. Shefi i Komisariatit, Metaj, rezulton të ketë pasur rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal, mes tyre edhe Gëzim Çela, duke shfrytëzuar postin e tij. Ai u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” si pjesë e grupit të strukturuara kriminal, i akuzuar për trafikim lëndësh narkotike. Shefi i Komisariatit pranoi ta ketë ndihmuar Gëzim Çelën duke thënë se kishte njohje të hershme me të.

Dritan Metaj: Kam njohje prej kohësh me Gëzim Çelën. E kam takuar disa herë. E di që kam bërë gabim që e kam takuar, por nuk e shmangia dot për shkak të njohjes së vjetër me të.

Por personazhi kryesor, ai që kërkohet nga drejtësia prej më shumë se 9 vitesh nuk u arrestua. Gëzim Çela u shpall sërish në kërkim, ashtu si në operacionin e 12 qershorit të vitit 2014. Ishte një operacion i koordinuar mes Policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, gjatë të cilit u zbuluan laboratorë droge në Fushë-Kuqe të Kurbinit dhe në Pejë. Policia kosovare arrestoi atje Valentina Tufinën, një kimiste që kryente procesin e përpunimit të drogës, ndërsa Policia shqiptare nuk mundi ta arrestojë Gëzim Çelën. Bëhej fjalë për të njëjtin grup kriminal, në përbërje të të cilit kishte shtetas nga Shqipëria dhe nga Kosova.  Çela është dënuar në mugesë me 10 vjet e 8 muaj burg.

Më 21 nëntor 2012 Gëzim Çela u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza” në momentin kur po deportohej nga Turqia pasi kishte kryer dënimin me 6 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës. U arrestua sepse ishte në kërkim nga Italia, ku akuzohej si kreu i një organizate kriminale shqiptare. Gjykata e Triestes e kishte dënuar me 19 vite burgim. Por ai arriti të lirohet e të shmangë ekstradimin, siç kishte bërë edhe më herët. Përmes raporteve mjekesore false, të lëshuara nga Spitali Ushtarak, sikur vuante nga kanceri në kocka, ai u lirua edhe kur u kap në vitin 2001 me qëllim ekstradimi. Në atë kohë ai ishte i dyshuar edhe për vrasjen e 3 policëve në Udine, ngjarje që më vonë u mbyll dhe u shpall i pafajshëm.

Me gjithë këtë histori kriminale Gëzim Çela gjithmonë ia ka dalë t’u shpëtojë prangave. Madje edhe në aksionin e së hënës, që megjithëse ishte përfshirë edhe DEA amerikane, Çela nuk u arrestua.

Por kush është ky personazh që arrin vazhdimisht t’u shpëtojë prangave.

Gëzim Çela është baba i 4 fëmijëve dhe me letra rezulton i divorcuar. Argument që është përdorur në gjykatë nga avokati i tij, për t’i lehtësuar akuzuat, lidhur me objektet që u sekuestruan në apartamentin e bashkëshortes së tij në “Don Bosko”, në Tiranë.

Ai është banor i fshatit Fush-Kuqe, të Kurbinit, ku janë kryer herë pas here kontrolle nga Policia. Djali i xhaxhait të tij, Nerim Çela u arrestua gjatë operacionit “Flakë në det”, kur trafikantët i vunë flakën velierës që dyshohej se do të trafikonte drogë. Gëzim Çela ka lidhje familjare edhe me “mbretin e lojërave të fatit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se një viti. Konkretisht, kushëriri i Çelës, Nerim Çela, është daja i Brilant Martinajt, i cili mbeti i vrarë në atentatin e frikshëm që u mori jetën edhe dy miqtë të tij, vitin e kaluar, në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Po ashtu emri i tij del edhe në dosjen “Metamorfoza”. Në mesazhet që shkëmbejnë personazhet e kësaj dosje, Dorian Duli, që ishte një nga personat e shenjestruar për t’u vrarë nga grupi Bajri, por edhe Lulzim Kulla, dhëndrri i familjes Lici, komentohet si lidhje e fortë e Gëzim Çeles. Por nga ana tjetër Çela ishte i afërm i Ervis Martinajt, i cili kishte një marrëveshje me Behar Bajrin.

Le t’i marrim me radhë rastet kur Gëzim Çela është akuzuar, arrestuar e liruar nga autoritetet shqiptare. Por dhe krimet për të cilat ai është akuzuar në tri shtete, Itali, Turqi dhe Shqipëri.

9 Janar 2001

Gëzim Çela arrestohet në Shqipëri për llogari të Italisë

Gëzim Çela ishte 33 vjeç kur u arrestua për herë të parë nga Policia shqiptare për llogari të drejtësisë italiane. Ai u kap në Tiranë më 9 janar të vitit 2001. Në atë kohë ai njihej si koka e një organizate të fuqishme mafioze italo-shqiptare, që vepronte prej disa vitesh në zonën e Udines në Itali. Atje nisën ta quanin për herë të parë “baroni i drogës”, ashtu sikurse vijojnë ta konsiderojnë edhe sot pas 23 vitesh. Dy ditë pas arrestimit, ai u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Tiranës dhe me kërkesë të prokurorit të çështjes, Artan Bajrami, gjyqtarja Marjana Dedi vendosi masën “arrest me burg” pa afat.

Akuza kryesore e ngritur ndaj Gëzim Çelës në atë kohë ishte ajo e pjesëmarrjes në vrasjen në bashkëpunim të tre policëve italianë në Udine. Ishte një ndër ngjarjet më të rënda që kishte ndodhur në prag të Krishtlindjeve, më 23 dhjetor të vitit 1998.

Tre oficerët e Policisë, Adriano Rutar, Xhuzepe Guido Zanier dhe Paolo Kranolino, për 10 minuta do të mbyllnin turnin dhe të ktheheshin në shtëpi. Por teksa patrullonit pranë një dyqani telefonash, në “Viale Unita”, në Udine, ndodhi një shpërthim i fuqishëm. Në qepenin e dyqanit ishte vendosur një granatë dore tip M52. Shpërthimi i saj shkaktoi vdekjen e tre policëve, si dhe plagosjen e një kolegut të tyre e pronarit të biznesit. Veprimet e kryer nga policia e Udines, Triestes dhe Venecias, të koordinuara nga Drejtoria e Antimafies në Trieste, i orientuan hetimet drejt një grupi kriminal të përbërë nga italianë dhe shqiptarë. Ky grup u tha se merrej me trafikimin e vajzave nga Europa Lindore, të cilat më pas shfrytëzoheshin për prostitucion. Policia arrestoi në atë kohë dy shtetas italianë, një vajzë nga Ukrania dhe 3 shtetas shqiptarë, Saimir Sadria (Keqi), nga Laçi, Ilir Mihasi, nga Tirana dhe Irena Shazimanin nga Elbasani.  Këta persona u arrestuan si bashkëpunëtorë në ngjarje, ndërsa u shpall në kërkim edhe Gëzim Çela.

Por më 31 maj të vitit 2001, Gëzim Çela, që ndodhej i arrestuar në Tiranë në pritje të ekstradimit, u çlirua nga akuzat për vrasje. U arrit në përfundimin se Çela, i akuzuar nga Antimafia italiane si autor i disa veprave te renda penale nuk ishte i implikuar në vrasjen e tre policeve italianë në Udine. U vendos që do të gjykohej vetëm për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim klandestinesh, pasi akuza si autor i vendosjes së bombës në Udine, ku gjetën vdekjen 3 policë nuk u provua nga hetuesit italianë. Heqja e kësaj akuzë ndaj 33-vjeçarit Gëzim Çela ishte njoftuar nga prokurori i Antimafias së Triestes, Rafaelo Tito, gjatë një konference për shtyp. Në fund të muajit janar të vitit 2001, për këtë çështje mbërritën në Shqipëri 3 prokurorë nga Trieste, të cilët morën në pyetje Gëzim Çelen dhe Gjergj Bushpepajn. Më pas hetimet u pushuan në Itali dhe çështja u mbyll pa autor.

Megjithatë hetimet nuk u ndalën kurrë. Në vitin 2021 Prokuroria e Udines nisi të shqyrtojë dëshmi të reja, përveç 400 dëshmive që ndodhen në fashikujt e dosjes voluminoze. Hetuesit pranuan se kishte shumë njolla të errëta në rindërtimin e asaj që ndodhi atë prag Krishtlindjesh, kjo ishte edhe arsyeja pse të gjithë të pandehurit u shpallën të pafajshëm gjatë gjyqit. Një rrjedhje informacioni që zyra e prokurorit nuk e vlerësoi, duke mos kryer veprime  konkrete për identifikimin e atyre që ishin përgjegjës për shpërndarjen e informacionit që konsiderohej sekret hetimor. Elementët e rinj që janë gjetur nga Prokuroria kanë të bëjnë me financuesit e masakrës. Objektivi i ngjarjes u mësua se nuk ishin oficerët e Policisë që mbetën të vrarë, por dyqani ku ishte vendosur bomba, që në atë kohë ishte një pikë referimi për telefoninë celulare në qytet. Megjithatë çështja vijon të jetë në hetim dhe ende nuk ka persona konkretë të dyshuar.

8 Maj 2003

Gëzim Çela dënohet me 5 vjet burg, lirohet me raport mjekësor fals

Pasi u arrestua për llogari të Italisë, ku ishte shpallur në kërkim, Gëzim Çela u gjykua në Gjykatën e Tiranës, për veprat penale që akuzohej nga drejtësia italiane. Me vendimin nr.341, datë 8 maj të vitit 2003, Gjykata e Tiranës e dënoi me 7 vjet e 6 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni, krijim të organizatës kriminale, kalim të paligjshëm kufiri dhe armëmbajtje pa leje. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 5 vjet burg. Por 7 muaj pas shpalljes fajtor, me një tjetër vendim, atë të datës 10 dhjetor 2003, Gjykata e Tiranës, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të pretenduar nga ana e Gëzim Çelës, vendosi lirimi i e tij nga vuajtja e mëtejshme e dënimit. Në procesin për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit, Gëzim Çela kishte paraqitur si provë një raport biopsie lidhur me diagnozën. Raportet mjeko-ligjore, të lëshuara nga Spitali Ushtarak, dhe nga një spital turk, sipas të cilave Çela diagnostikohej me kancer në kocka, në gjurin e djathtë, bënë që ai t’i shpëtonte burgut në Shqipëri.

20 Korrik 2004

Çela akuzohet për falsifikim të dokumenteve shëndetësor

Lidhur me raportin mjekësor që Gëzim Çela paraqiti si argument për t’u liruar nga burgu, Prokuroria e Tiranës, më datë 20 korrik të vitit 2004 regjistroi procedimin penal ndaj tij, me akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”. Por me vendimin e datës 27 mars të vitit 2007, Gjykata e Tiranës administroi provat dhe dëgjoi  prokurorin Gjon Kodra, i cili tërhoqi akuzën në ngarkim të të pandehurit Gëzim Çela, duke kërkuar pushimin e çështjes. Ndërsa avokati i Çelës, Maksim Haxhia kërkoi deklarimin e pafajshëm të klientit të tij. Në vendimin e Gkykatës argumentohet se një nga raportet e paraqitura në Gjykatë në vitin 2003 nga Gëzim Çela ishte nënshkruar nga profesor doktor Sergylem Dervisollu, shtetas turk. Me shkresën e datës 28 tetor 2003 të kryeprokurorit të Stambollit, në përgjigje të kërkesës për ndihmë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, rezulton se përmbajtja e raportit është e njëjtë me origjinalin por nënshkrimi në fund të raportit nuk është i doktorit Sergylem Dervisollu. Hetimet ndaj Gëzim Çelës ishin zhvilluar në mungesë të tij, pasi ndodhej jashtë shtetit, nuk ishte bërë e mundur pyetja e tij. Ndërsa gjatë procesit të gjykimit ai u paraqit dhe dha shpjegimet e tij.

Gëzim Çela: “Raporti mjekësor pasqyron realitetin dhe nuk është i falsifikuar. Megjithatë ky raport nuk është marrë nga unë, por nga një shtetas kosovar me banim në Turqi, i cili më ka shërbyer si përkthyes gjatë qëndrimit në spitalin e Stambollit, me të cilin kam komunikuar në telefon. I kam kërkuar që pasi të marrë këtë raport, t’ia dërgonte me postë avokatit tim në Shqipëri”.

Në konkluzionet përfundimtare prokurori tërhoqi akuzën dhe kërkoi pushimin e çështjes në ngarkim Gëzim Çelës.

Në përmbajtje, dokumenti mjekësor nuk pasqyron rrethana të rreme pasi është e njëjta përmbajte me origjinalin, por në përgjigjen e ardhur nga kryeprokurori i Stambollit nuk sqarohet nëse nënshkrimi në emër të mjekut Sergulen Devisoglu, është i falsifikuar apo është nënshkrimi i ndonjë nga punonjësit e spitalit ku është operuar i pandehuri.

Gjithashtu nga ana e të pandehurit pretendohet se raporti mjekësor është i rregullt dhe se nuk është ai personi që e ka marrë e paraqitur në gjykim.

Në këto kushte, kur prokurori e tërhoqi akuzën dhe kur ekzistenca e faktit është e dyshimtë, gjykata çmoi të drejtë kërkesën e prokurorit  duke vendosur pushimin e çështjes në ngarkim Gëzim Çelës.

Viti 2007

Gëzim Çela arrestohet në Turqi e dënohet me 6 vjet burg

Pasi mbylli hesapet me drejtësinë Shqiptare, duke menduar se nuk kishte më llogari të hapura as me Italinë, Gëzim Çela niset drejt Lindjes. Provon të zgjerojë aktivitetin e tij të narkotikëve edhe në një linjë direkte të trafikut të heroinës nga Turqia. Por atje arrestohet dhe Turqia nuk e fal pavarësisht pretendimeve të paraqitura për sëmundje kanceroze në kockën e gjurit të djathtë. Manovrën e raporteve mjekësore e tentoi edhe para Gjykatës së Stambollit, por atje nuk e morën parasysh duke e dënuar me 6 vjet burg.

Gjatë kohës që ndodhej në burgun e Malltepes në Turqi, më 4 shkurt të vitit 2010, avokati i tij bën një kërkesë në Gjykatën e Tiranës me objekt parashkrimin e ekzekutimit të dënimit. Bëhej fjalë për vendimin e datës 8 maj 2003, që Çela dënohej me 5 vite burg, me kërkesë të autoriteteve italiane. Dënim që nuk e kishte shlyer për shkak të pretendimit se vuante nga një sëmundje e rëndë. Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata e Tiranës dhe çështja në ngarkim të Gëzim Çelës u pushua. Pasi shleu dënimin dhe qëndroi për pak kohë në Turqi, ai u dëportua

21 Nëntor 2012

Gëzim Çela arrestohen në Rinas pas deportimit nga Turqia

Më 21 nëntor të vitit 2012 Gëzim Çela u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza” në momentin kur po deportohej nga Turqia pasi kishte kryer dënimin me 6 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës. Arrestimi i tij u krye në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Triestes në Itali, ku Çela akuzohej si kreu i një organizate kriminale shqiptare që vepronte në linjat e trafikut në Itali.

Policia e Tiranës

U ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Gëzim Xhemal Çela, banues në fshatin Fushë Kuqe, Laç, i dënuar më parë, sepse Gjykata e Triestes, Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit datë 11 mars 2000, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të tipit mafioz” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Ai mendonte se me kërkesën e parashkrimit që ishte pranuar nga Gjykata e Tiranës, ia kishte hedhur paq edhe me drejtësinë italiane, por jo. Bashkë me vitet që kishin kaluar, kishin ecur edhe hetimet e palës italiane. Bëhej fjalë për një dekadë. Kur u arrestua në Rinas si i kërkuar ndërkombëtar, drejtësia italiane kishte dhënë 5 dënime për Gëzim Çelën. Ai duhej të shlyente atje 19 vjet, 9 muaj dhe 29 ditë burgim. Por sigurisht me ligjet penale në Shqipëri, ia del te bësh manovrat e duhura, sidomos për njerëz që ia kanë dalë edhe më parë në një formë a në një tjetër. Ndonjëse një proces gjyqësor për ekstradimin ose jo, zakonisht zgjat 40 ditë, për Gëzim Çelën do të zgjaste ca më tepër.

Sigurisht, me arsyen e vetme që gjithçka të ishte në favorin e tij. Pavarësisht pretendimeve të avokatit se klienti i tij nuk mund të vuante dy herë të njëjtin dënim, gjyqtari Artur Gaxhi vdos që Gëzim Çela të ekstradohej në Itali më 23 janar të vitit 2013.

Gjyqtari i çështjes

Në kërkesën për ekstradim janë përshkuar disa vendime penale që e shpallin atë fajtor, përveç atij për të cilin është dënuar nga drejtësia shqiptare. Së dyti, në vendimet e dënimit janë përfshirë episode të tjera krimesh, që nuk janë shqyrtuar nga gjykatat shqiptare.

  1. Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 4 prill 2002, i parevokueshëm. Gëzim Çela është dënuar me 4 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë. Akuzohet se ka shantazhuar një shtetase me qëllim që ta detyronte të ushtronte prostitucion, si dhe e ka dhunuar duke e goditur me grushte.
  2. Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 12 maj 2004, pjesërisht i riformuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit të Bolonjës, datë 5 dhjetor 2006. Gëzim Çela është dënuar 4.5 vite burgim dhe 6 mijë euro gjobe, vendim i parevokueshem që ka marrë formë të prerë më datë 1 qershor 2007. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri.
  3. Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 11 tetor 1995, i parevokueshëm, që ka marrë formë të prerë, më 1 dhjetor 1995. Çelaj është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 165 euro gjobë. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe krijimi i organizatës kriminale.
  4. Vendim i Gjykatës së Udines, datë 12 nëntor 2011, i parevokueshëm, që ka marrë formë të prerë më 7 prill të vitit 2000. Çelaj është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim dhe 413 euro gjobe. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.

Dënimi i përgjithshëm nga bashkimi i dënimeve, siç rezulton nga urdhri i ekzekutimit të Prokurorisë së Modenas, datë 8 shkurt 2010, është 11 vjet, 10 muaj e 29 dite burgim dhe rreth 8 mijë euro gjobe. I është falur një dënim me 3 vjet burg dhe rreth 900 euro gjobë.

  1. Vendim i Gjykatës së Apelit Trieste, datë 5 dhjetor 2008, që ka marrë formë të prerë më 17 mars 2011. Çela është dënuar me 10 vjet e 11 muaj burgim dhe 150 mijë euro gjobe. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, favorizim i emigracionit klandestin, shoqatë të tipit mafioz dhe të huaj e armëmbajtje pa leje.

Sipas Urdhrit te Ekzekutimit te Prokurorit pranë Gjykatës së Udines, Zyra e Ekzekutimit Penal, datë 28 gusht 2012, në bashkim të dënimeve, për Gëzim Çelën është caktuar një dënim i vetëm prej 22 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim dhe 158 mijë euro gjobë.

Pas faljes së dënimit prej 3 vjet burgim, siç përshkruhet në urdhrin e ekzekutimit, Gëzim Çela duhet të vuajë në shtetin italian, një dënim të përgjithshëm dhe të vetëm prej 19 vjet, 9 muaj e 29 dite burgim.

E megjithatë, për shumë kohë që nga momenti i arrestimit në Rinas, për Gëzim Çelën nuk ishte vendosur përfundimisht nëse duhej të ekstradohej apo jo, pasi vendimi i gjyqtarit Artur Gaxhi u pezullua nga Gjykata e Apelit, duke ia kthyer mbrapsht Gjykatës së Tiranës. Arsyetimi i apelit ishte: Shkalla e parë nuk ka verifikuar nëse drejtësia italiane ka llogaritur apo jo burgun që Gëzim Çela ka bërë në Shqipëri.

Por kërkesa e paraqitur në Gjykatën e Tiranës më datë 14 nëntor të vitit 2013, për ekstradimin e Çëlës, u shqyrtua thuajse një vit më vonë, kur ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia Shqiptare. Më 26 korrik të vitit 2014, në fazën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi ekstradimin e Çelës. Por, sipas prokurorisë, ekstradimi duhej të ekzekutohej pasi ai të “mbyllte llogaritë” me drejtësinë shqiptare. Llogari që vazhdon t’i ketë të hapura edhe sot, pas më shumë se 9 vitesh.

12 Qershor 2014

Zbulohen laboratorë droge në Fushë-Kuqe e Pejë, shpallet në kërkim Gëzim Çela

Një operacion i përbashkët antidroge mes Policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, më 12 qershor të vitit 2014 zbuloi një rrjet të sofistikuar të trafikut të drogës, si dhe dy laboratorë për përpunimit, përzierjen dhe paketimin e kokainës e heroinës. Në pranga përfunduan 6 persona, 3 në Tiranë, Laç e Morinë dhe 3 të tjerë në Kosovë. Por ai që konsiderohej koka e grupit, Gëzim Çela nuk u arrit të arrestohej.

“Erdhën të zinjtë! Të kanë rrethuar shtëpinë!”

Ky sinjal, i përgjuar nga ana grupit hetimor mendohet se ka shpëtuar Gëzim Çelën nga prangat. Ai është lajmëruar me telefon në momentin që RENEA kishte rrethuar vilën e tij 3-katëshe në Fushë-Kuqe. Pikërisht në këtë kohë, korrieri i kokainës, Reald Hysolli ishte arrestuar në Morinë, ndërsa të dyshuarit e tjerë po mbaheshin nën përgjim telefonik dhe vëzhgim policor. Duke gjurmuar telefonin e tij, forcat e Policisë ishin të binduar që Gëzim Çela ndodhej në shtëpi kur nisën operacionin. Por ai ka arritur të arratiset me sukses.

Në vendimin e gjykatës, që ndonëse e ka dënuar edhe e ka falur shumë Gëzim Çelën, shpjegohen edhe rolet që kanë pasur të gjithë anëtarët e grupit të goditur në të dy anët e kufirit. Pavarësisht se Çela në këtë vendim konsiderohet “shpërndarës”, në fakt në nisje të hetimeve konsiderohej drejtues grupi. Në vendim sqarohet se lënda narkotike sigurohej në Amerikën e Jugut dhe më pas përpunohej nga Valentina Tufina, e njohur si “tezja”, në laboratorin që ndodhej në Rusojë të Deçanit. Ky laborator ishte ndërtuar në banesën e dy vëllezërve nga Kosova, Veim dhe Vehbi Berisha. Ndërsa lënda narkotike transportohej aty nga korrieri Reald Hysolli.

Gjatë hetimeve është konstatuar se, blerësit e lëndës narkotike kishin shfaqur pakënaqësi tek Gëzim Çela për cilësinë e kokainës. Për këtë arsye, Çela ka instistuar tek furnizuesi, që është një person i paidentifikuar, që sasia e lëndës narkotike të kthehej dhe të zëvendësohej me mall me cilësi të përmirësuar.

Përfundimisht është vendosur dorëzimi i sasisë së kokainës, me cilësi të keqe, në bazën e përpunimit në fshatin Rusojë dhe zëvendësimi i saj me një sasi me cilësi më të mirë, të pranueshme prej blerësve të kontaktuar prej Gëzim Çelës.

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është edhe një bisedë e përgjuar në lidhje me zëvendësimin e lëndës narkotike, mes Gëzim Çelës dhe Valentina Tufinës që kishte rolin e kimistes.

Bisedat mes Gëzim Çelës dhe Valentina Tifinës

Valentina Tufina: Hë…

Gëzim Çela: Ça bone

Valentina Tufina: Hiç për zotin…

Gëzim Çela: Ku jeni

Valentina Tufina: Ke shpia

Gëzim Çela: Jeni tu rregullu gjo aty

Valentina Tufina: Po

Gëzim Çela: Okej

Valentina Tufina: Ça bone ti?

Gëzim Çela: Unë asgjo fola me atë

Valentina Tufina: Ça tha?

Gëzim Çela: Ai m’tha që o nesër o t’hanën ik tezja atje, ditën e martë n’mjes ço njeriun që t`i kthejë ato kmishat, fustanet, bluzat komplet ça ka ra, n’mjes ço njeriun le t’i kthej mrapsht, e do marrish n’magazinë kmisha tjera, sa t’dush ti tha pas asi problem n’botë tha, t’kërkoj falje 100 herë tha po se paskam ditë që kanë kenë me difekt, po i ka qit rrobaqepsia tha makina se ku i kanë.

Valentina Tufina: Shum mirë

Gëzim Çela: I thashë e due të garantueme s’ma marove kët punë thash të martën deri në drekë thash mua m’ke flliq edhe thom stop edhe numrin e telefonit e ndrroj, jo pash familjen mos boj at pune ç’ke ti e ke tezen aty, pyete i kam dhonë urdhër që sot e dje i kam kallzu se ça me bo.

Valentina Tufina: Amon po thash t’iki t’honën o burri i dheut

Gëzim Çela: Mirë dakord.

Brenda dy ditëve Valentina Tufina arriti të përgatisë në laborator sasinë e kokainës të cilësisë më të mirë dhe për të bërë të mundur transportimin drejt Shqipërisë, nëpërmjet kalimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, është dërguar në Kosovë, korrieri, Reald Hysolli. Pasi e ka ngarkuar 14 pakot me drogë në makinën që drejtonte, duke i fshehur në një vend të modifikuar është nisur, në mëngjesin e datës 12 qershor 2014, për t’u kthyer, në territorin e shtetit shqiptar. Por në momentin që po kalonte në Morinë  është ndërhyrë, njëkohësisht, në të dy krahët e kufirit. Pas sekuestrimit të lëndës narkotike në makinën që drejtonte Hysolli u bë edhe arrestimi i Valentina Tufinës e vëllezërve Berisha në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri, Gëzim Çela nuk u arrit të arrestohej. Policia arrestoi vëllain e Çelës, Kujtim Çelën. Por më pas çështja ndaj tij u veçua dhe ai u gjykua në Gjykatën e Kurbinit, i akuzuar për “kultivim lëndësh narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gëzim Çela u dënua në mungesë me 10 vjet e 8 muaj burg nga Apeli i Krimeve të Rënda, duke përfituar përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar. Vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ndërsa Valentina Tufina, u dënua në Kosovë me 14 vjet burg.

15 Gusht 2023

Parandalohet shkëmbimi i hashashit me  kokainë në det, arrestohet kushëriri i Gëzim Çelës

Një informacion se sasi lëndësh narkotike do të vinin në Shqipëri nga Turqia në rrugë detare dhe tokësore e më pas nga Shqipëria do të nisej drejt vendeve të Bashkimit Europian, vuri në lëvizje Policinë Shqiptare në mesin e gushtit 2023. Policia gjyqësore siguroi të dhëna se më 14 gusht do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit kanabis, që do të nisej me mjete lundruese nga Patoku dhe në det të hapur do të shkëmbehej me kokainë, e cila do të transportohej me një tjetër mjet lundrues me ekuipazh shtetas ukrainas.

Më datë 15 gusht, një gomone u pikas në dalje të Lagunës së Patokut. Kjo gomone po udhëtonte me shpejtësi drejt një veliere me flamur të huaj që ishte në det të hapur, thuajse 12 milje nga bregu. Kjo velierë kishte hyrë pa njoftuar në ujrat shqiptare dhe ndodhej në afërsi të Kepit të Rodonit. Policia ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me forcat e policisë italiane të Guaria di Finanza, që operojnë në Shqipëri dhe Itali, me qëllim kapjen e dy mjeteve. Të dy mjetet lundruese janë mbajtur nën vëzhgim dhe ne momentin që mjetet e policisë janë pikasur nga dy ukrainasit që ndodheshin në velierë, Kirilo Pomarenko dhe Konstandit Belon, i kanë vënë flakën velierës. Aty ndodhej edhe lënda narkotike e llojit kanabis. Policia kishte të dhëna se në atë kohë ishte bërë shkëmbimi. Ukrainasit kishin dorëzuar sasinë e kokainës tek personat që ishin nisur me gomone nga Patoku dhe kishin marrë kanabisin. Pasi i kanë vënë flakën velierës ata kanë hipur në një mjet shpëtimi ku më pas edhe janë arrestuar, ndërsa gomonia ku dyshohet se ndodhej sasia e kokainës, që drejtohej nga shqiptarë, është larguar me shpejtësi duke u ndjekur nga Policia. Gomonia është sekuestruar etëm pas disa orësh ndjekje, por në atë moment ishte e boshatisur. Është ndaluar vetëm personi që e drejtonte, Besnik Brokeri.

Të njëjtën ditë, në kohën kur një grup po monitoronte mjetet lundruese, një grup tjetër ka kryer kontroll në restorantin “Royal Blue”, që është në pronësi të Gëzim Çelës në Patok, ku ishte dhe baza nga ku ishte nisur gomonia me kanabis. Sipas informacioneve, pasi të bëhej shkëmbimi i kanabisit me kokainë, gomonia do të kthehej sërish në bazë, tek lojali “Royal Blue”. Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia konstatoi Nerim Çelë, i cili u prezantua si pronari. Në fakt Nerim Çela është djali i xhaxhait të Gëzim Çelës e njëkohësisht është daja i Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinajt. Aty u gjetën dy pistoleta, fishekë e një sasi parash. Kur po kryheshin kontrolle, në oborrin e lokalit Policia shquan një mjet Audi që drejtohej nga Arlind Ismailukaj, një ish-oficer Policie dhe pasagjer ishte Armando Mema. Edhe në këtë mjet u gjet një sasi parash.

Nga këqyrja e celularit të Arlind Ismailukajt rezultoi se më dsatë 15 gusht, rreth orës 3 të mëngjesit, ai kishte komunikuar me një person me pseudonimin “Kapelja”. Sipas të dhënave të grupit hetimor ky person është Arben Dalipaj nga Vlora dhe ishte drejtuesi i gomones që u nis nga Patoku për të marrë kokainën. Dalipaj bashkë me të arrestuarin Besnik Brokeri, lëndën narkotike do ta dorëzonin në lokalin “Royal Blue”. Të gjithë këta persona u arrestuan, pasi dyshohet të kenë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.

Por hetimet vijuan për persona të tjerë të përfshirë, pasi atë ditë, pati dyshime se pak momente para ndërhyrjes së Policisë, Gëzim Çela ishte larguar sërish, si gjithmonë i sinjalizuar në kohë.

Rezultatet e këtij hetimi u njoftuan më 9 tetor nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili tha se nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, ishte ekzekutuar vetëm një. Në pranga ishte vënë shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.

Pra edhe këtë herë Gëzim Çela u arratis. Dhe siç rezulton nga Policia, është larguar jashtë vendit. Nëse është larguar ditën që do të arrestohej, apo ishte larguar që prej datës 15 gusht kur u zhvillua operacioni “Flakë në det”, kjo mbetet për t’u sqaruar. Shefi i Policisë së Kurbinit e pranoi që e kishte ndihmuar. Nuk është çudi që ndihma e tij të ketë qenë edhe në këtë drejtim. Një sinjal për t’i thënë “largohu se të kanë rrethuar”, siç e kishte lajmëruar dikush edhe në vitin 2014. Por një gjë është e sigurt. Gëzim Çela nuk është ndihmuar vetëm nga Policia, ai është favorizuar edhe nga ligjet që për “peshq të mëdhenj” si ai, ligji është një rrjetë shumë delikate, që arrin të mbajë brenda vetëm cironka.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!