Baristi i cili krijon art në filxhanët e kafesë

schedule19:00 - 14 Shtator, 2019

schedule 19:00 - 14 Shtator, 2019

Baristi nga Kosova, Jetmir Maliqi, krijon vepra të mirëfillta arti në filxhanët e kafesë, të cilat i shërben për klientët e tij prej 22 vitesh tashmë. Vepra e tij më e fundit janë portrete me kokrrat e kafes.

Ka 22 vjet që merret më këtë zanat. Kafja e përgatitur nga baristi Jetmir Maliqi është një art në vete. Ai njihet ndryshe edhe si “piktori i kafes”, pasi që me shumë mjeshtri përgatit kafe me figura të ndryshme. Ndonëse konsiderohet si më i miri në Ballkan, Maliqi e ka të pamundur t’i ndjek të gjitha festivalet e artit të kafesë.

Thotë se nuk ka përkrahje nga sponsorët e kafesë siç ndodh në gjithë botën dhe për më tepër shpesh ka munguar në këto festivale edhe për shkak të pamundësisë për tu pajisur me vizë.

“Ku të shkosh, si në Gjermani, në Itali, gjithkund e ke që të mbështet kafja baristin. Këtu nuk e mban, vetëm e shfrytëzon, i nxjerr gjërat e bukura, por ai barist nuk hyn për punë hiç. Festivali i fundit që ka qenë në Berlin, nuk kam mundur të isha se s’kam pasur edhe vizë”, tha Jetmiri.

Konsideron se profesioni i tij nuk vlerësohet shumë në Kosovë, andaj është edhe duke shqyrtuar ofertat e fundit që i kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës.

“Oferta e fundit më ka ardhur nga Amerika. Edhe pse kjo pjesë ku jam është shumë praktike, i kam të gjitha, por depërtimet nëpër Evropë nuk i kemi sepse unë  e dua garën”, tha ai.

Së fundmi Maliqi ka kaluar në një tjetër nivel. Ai ka filluar të bëjë portrete me kokrra kafeje. Maliqi e ka mahnitur edhe futbollistin shqiptar nga Gjilani, Xherdan Shaqirin, i cili portretin e tij të punuar nga Maliqi e ka postuar në Instagram./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!