Paralajmërimin për protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në 5 akse kryesore në vend e bëri sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi nga foltorja e selisë blu ku akuzoi kryeministrin për bllokim të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.
Bllokimin e rrugëve, të organizuar nga opozita e bashkuar për pasditen e së enjtes në 5 akse kryesore të Shqipërisë, e njoftoi sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke hequr një paralele me bllokimin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-se, autor të së cilit identifikon kryeministrin Edi Rama.
“Opozita dhe qytetarët do të jenë sërish së bashku në të njëjtën kohë, për të demonstruar se një qeveri e paralizuar nga krimi dhe e krimbur nga korrupsioni i ka bllokuar Shqipërisë rrugën e saj europiane. Së bashku me mijëra qytetarë, ne do të ndalojmë makinat dhe do të kërkojmë që Kryeministri i votave të blera me paratë e bandave dhe krimit të organizuar të mos ketë më mundësi të shkatërrojë jetën e familjeve shqiptare, duke grabitur me babëzi të pakufishme çdo pasuri të këtij vendi”, tha Bardhi.
Për selinë blu, shqiptarët e kanë kuptuar skemën grabitëse të kësaj qeverie ndaj sot me ndalimin e makinave në gjithë Shqipërinë dhe nesër me ndalimin e zgjedhjeve false./abcnews.al