Bardhi prezantohet si drejtues politik në Elbasan: Me 25 prill, do t’i prijmë ndryshimit

schedule20:31 - 9 Janar, 2021

schedule 20:31 - 9 Janar, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është prezantuar si drejtues politik për qarkun e Elbasanit në radhët e Partisë Demokratike. Bardhi tha se Elbasani është shembulli i asaj që ka bërë rilindja në 8 vitet e fundit ku sipas tij ushtruesi e pushtetit me privilegjet e tyre qëndrojnë në një anë, ndërsa banorët në anën tjetër.

Bardhi u zotua se me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon pasi do të dalë nga varfëria dhe do të gëzojë potencialin që ka me projektet e zhvillimit që do zënë vendin e pazareve.

“Elbasani është ndoshta shembulli më emblematik që dëshmon se çfarë ka bërë ‘rilindja’ në 8 vite. Dy botë të ndryshme që shtrihen në mënyrë paralele. Ushtruesit e pushtetit, me privilegjet e pasuritë e tyre në simbiozë të plotë me grupet kriminale në një anë. Dhe njerëzit, qytetarët dhe banorët, të harruar e braktisur, në anën tjetër.

Njerëzit me pushtet kanë përfituar gjithçka në këto dy mandate. Para, influencë, territor, dhe kanë sunduar me forcë mbi pjesën tjetër. Përfytyroni se si një njeri i vetëm vendos për gjithçka, për punësimin, për tenderat, për shpërndarjen e favoreve, per ndihmen ekonomike, të gjitha këto sipas interesave personale. A mundet që një qark i tërë me rreth 450 mijë banorë të punojë për një grusht njerëzish. Përpos se padrejtësi, është edhe fyerje.

Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka. Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues.

Eshtë nderi më i madh që më është bërë të jem drejtuesi politik i fushatës në këtë qark, për Partinë Demokratike. Përgjegjësi po ashtu tejet e madhe. Sfidë që më mbush me energji dhe entuziasëm.

Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zevendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë.

Jam i bindur se qarku Elbasanit do të jetë në vijën e parë të ndryshimit. Njerëzit mezi po presin. Të bashkuar si asnjëherë tjetër dhe në krah të qytetarëve ne do të sjellim qeverisjen dhe rendin që e meritojnë banorët e mrekullueshëm të këtij qarku, prindërit, të moshuarit, të rinjtë e të rejat, fëmijët që kanë ëndrra për një ardhme më të mirë”, u shpreh Bardhi./mv.abcnews.al