Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi ka zhvilluar ditën e sotme takim me të rinjtë në fshatin Kuqan.
Ndërsa u njoh nga afër me shqetësimet dhe problematikat e të rinjve ai tha se se një prej dramave më të mëdha në këtë qark, është largimi i pjesës më vitale të shoqërisë.
“Problemi më i madh i Elbasanit është largimi i të rinjve, ikja e tyre në emigracion. Dhe kjo prej hallit, prej pamundësisë dhe mungesës së kushteve këtu. Dhe Edi Rama tallet, thotë ca problemi ka që ikin. Ne do t’i japim fund kësaj arrogance, kësaj politike.
Bashkimi i të rinjve siç jeni ju këtu do të sjellë ndryshimin me 25 prill. Dhe pastaj bashkë, do ta vëmë në jetë këtë ndryshim, do të realizojmë edhe ëndrrën e prindërve tanë, që ishte Shqipëria si gjithë Europa”, u shpreh Bardhi.
Ndarja administrative ishte një tjetër problem që u diskutua në këtë takim për të cilën Bardhi e konsideroi të pafalshme faktin që në këto 8 vite paratë kanë shkuar për propagandë e fasadë.
“Është shtuar stafi në Bashki në Elbasan me 40 përqind, me njerëz që vetëm fusin kartën e marrin rrogën e nuk sjellin asnjë gjë, asnjë shërbim për ju. Është e pafalshme që në këto 8 vite paratë kanë shkuar për propagandë e fasadë, ndërro një pllake e lyej pallate, dhe është larguar vëmendja nga fshati.
Ne, fshatin e kemi prioritet, dhe me subvencionet e investimet që do të bëjmë, do të mundësojmë që askush në fshat të mos jetë në varfëri”, u shpreh Bardhi, i cili shtoi se ndarja territoriale do të rishikohet dhe disa komuna do të riikrijohen, për të qenë me afër banorëve e për të dhënë llogari para tyre.
/abcnews.al/