Bardhi: PD do ketë komisionerë në zgjedhjet vendore. Reagon Astrit Patozi

schedule19:21 - 16 Maj, 2019

schedule 19:21 - 16 Maj, 2019

Pasditen e së enjtes Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, njoftuan se mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Në një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi thuhet se PD dhe LSI kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie.

Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë.

Por këtë hap të PD-së dhe LSI, partia më e re politike në vend Bindja Demokratike e konsideron si provokimi më i fundit ndaj procesit zgjedhor.
Sipas Astrit Patozit, përpjekja për të penguar procesin zgjedhor me komisionerë drejtohet pikë së pari kundër Bindjes Demokratike, e cila duhet të ketë patjetër komisionerët e vet në atë process dhe së dyti, kundër procesit zgjedhor në tërësi.

Bindja Demokratike i kërkon KQZ-së që të veprojë shpejt dhe me drejtësi për t’ua lënë zgjedhjet atyre që zgjedhin dhe zgjidhen dhe jo atyre që nuk duan të bëhen zgjedhje fare në Shqipëri./abcnews.al