TIRANË- Analistja dhe juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story”, ka reaguar ashpër ndaj zgjedhjes së Gazment Bardhit në krye të grupit parlamentar të PD nga Sali Berisha, duke e cilësuar këtë si “gjënë më të shëmtuar” në politikën shqiptare.
Sipas saj, rikonfirmimi i Bardhit tregon se Berisha vazhdon të përdorë njerëz pa meritë, duke injoruar totalisht kontributin real dhe vlerësimin e votuesve.
“Zgjedhja e Gaz Bardhit është gjëja më e shëmtuar që të rikonfirmon që Berisha nuk të zhgënjen asnjëherë. Ai i përdor njerëzit e përdorur dhe Gaz Bardhi nuk ka asnjë meritë. Pozicionet në partitë politike fitohen me rezultat në vota, jo me servilizëm”, u shpreh Gjikondi.
Ajo solli si shembull rezultatin e dobët në Fier, ku sipas saj, nën drejtimin e Bardhit është shënuar një nga paraqitjet më të dobëta ndonjëherë.
“Asnjëherë Fieri nuk ka dalë aq dobët sa këtë herë me Bardhin.”
Juristja nuk kurseu kritikat as për karakterin e Bardhit, duke e cilësuar atë si një individ pa integritet dhe të gatshëm të hyjë në skenarë kaotikë.
“Berisha nuk zgjedh për kontributet, por sepse ai është një person pa personalitet, që ka lëpirë atë që ka pështyrë. Është si një kone që sa herë t’i thotë Berisha ‘hidhu’, ai është i gatshëm të shkojë në tribunë. Do jetë pjesë e kaosit, zhurmës dhe rrëmujës.”
Sipas Gjikondit, pas kësaj zgjedhjeje fshihen interesa personale të Berishës dhe rrethit të tij familjar.

