Bardhi i përgjigjet Ramës: Askush nuk mund të tallet me Elbasanin, më 25 prill Rama humbet

schedule11:54 - 21 Shkurt, 2021

schedule 11:54 - 21 Shkurt, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe njëherësh drejtues politik i PD ne Elbasan Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra më herët gjatë ditës nga kryeministri Edi Rama. Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se askush nuk mund të tallet me Elbasanin.

Bardhi i bën thirrje kreut të qeverisë që nëse do të shohë sesi është gjendja e qarkut “pas tetë viteve të rilindjes”, duhet të futet në çdo lagje të qytetit, apo fshat të kësaj zone.  Drejtuesi politik i PD për Elbasanin thotë se në këtë qark mbizotëron pamundësi, skamja dhe ka të moshuar që luten mos të kenë halle me shëndetin “se nuk përballojnë dritat, jo më spitalet.”

Lexo edhe: Rama bashkëbisedim me qytetarët në Elbasan: Kolegjet profesionale, mundësi për nxënësit

Bardhi thotë se banorët e Elbasanit duan ndryshim, dhe kjo, sipas tij,  do të ndodhë me 25 prill.

POSTIMI I PLOTË

“Askush nuk mund të tallet me Elbasanin! Edhe pse viziton Elbasanin, Edi Rama sërish refuzon të prekë realitetin e vërtitet me orë të tëra në sferën e tij imagjinare të sukseseve e mrekullive që i prek vetëm ai dhe miqtë që e shoqërojnë. Pas 8 viteve të rilindjes, Elbasani është qarku më i varfër në vend, dhe 75 mijë qytetarë janë larguar për shkak të papunësisë, mungesës së shanseve, dhe braktisjes që i ka bërë qeveria qytetarëve. Asnjë investim dhe asnjë mbështetje për qarkun Elbasan në 8 vite.
Nëse do të shohësh si është gjendja, futu në çdo lagje të qytetit, apo në çdo fshat të kësaj zone. Pamundësi, skamje dhe të moshuar që luten mos të kenë halle me shëndetin se nuk përballojnë dritat, jo më spitalet. Ato biznese që mbijetojnë, ja dalin falë punës së tyre, me administratën nëpër këmbë që u vë gjoba e u merr frymën. Të vetmet që po lulëzojnë, janë kurset private të gjuhëve të huaja, sepse rinia kërkon të largohet. Dhe sot që ti qendron me atë mikrofon në dorë pa ndalim, qindra të diplomuar po hyjnë e po dalin nga orët e gjermanishtes.
Mashtrimin elektoral të 300 mijë vendeve të punës dhe shëndetësisë falas, të uljes së çmimit të dritave dhe ushqimeve, nuk mund ta zevendësosh me të tjera premtime dhe gënjeshtra të reja.
Banorët e Elbasanit duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim, dhe kjo do të ndodhë me 25 prill. Eshtë e pandalshme e pashmangshme. Ne kemi një plan, një vizion, dhe angazhimin për të kthyer shpresën dhe besimin e njerëzve tek politika dhe qeverisja e mirë. ” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!