Bardhi e Boçi ftesë Bashës/ Kulluri: Bashkim nëse shkëputen nga Berisha, nuk e çojmë PD-në te Rithemelimi

schedule18:34 - 9 Janar, 2024

schedule 18:34 - 9 Janar, 2024

Bashkim me PD-në vetëm nëse shkëputen nga Sali Berisha. Kështu deklaroi sekretari i PD-së, Edvin Kulluri në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa në ABC News, teksa komentoi ftesën e bërë nga grupimi i Gazment Bardhit dhe i Sali Berishës për një bashkëpunim me atë të vulës.

Kulluri iu përgjigj Luçiano Boçit duke thënë se nuk mund të ketë një tjetër Romeo poshtë ballkonit të Berishës. Ai e cilësoi kërkesën për bashkim si false pasi ka për qëllim rikthimin e Sali Berishës në PD apo dërgimin e partisë tek Rithemelimi, sipas të cilit, asnjëra nuk ka për të ndodhur.

“Së pari, përgjigjen e kam të parën për Boçin. Mjafton një Romeo poshtë ballkonit të Berishës. Nuk ka nevojë për dy. Nëse do të vazhdojë të rrijë poshtë ballkonit të këndojë, mund të rrijë. Së dyti, në çfarë cilësie e bën ftesën Bardhi dhe e dyta, në çfarë cilësie i drejtohet Boçit. Sot që flasim, Bardhi nuk është as pjesë e PD-së dhe as e Rithemelimit. Ka bërë një zgjedhje për t’u larguar nga PD duke shkelur rezolutën që ka përpiluar vetë me 18 dhjetor për t’u ndarë nga Berisha kështu që ka zgjedhur një rrugë tjetër. Nëse Bardhi do t’i bashkohet Rithemelimit përfundimisht nuk ka më vend dhe hapësirë për bashkim. Nëse do të rikthejë Berishën në PD, s’ka nevojë për diskutim. Kjo rrugë është e mbyllur për sa kohë PD dy vite më parë ka bërë një zgjedhje të fortë historike.”, tha Kulluri.

Ai shtoi se Bardhi dhe Boçi duhet të qartësojnë lëvizjet politike ose të bindin SHBA-në për t’i hequr non gratan Berishës. I pyetur për një reagim nga Basha, Kulluri shtoi: “Do të dalë të flasë këto ditë. Nesër ose pasnesër. Këtë javë do të mbajë qëndrim të qarrtë për këtë çështje.”

“Për ta rikthyer Berishën në PD ose për ta çuar PD-në tek Rithemelimi. Asnjëra nga të dyja nuk ka për të ndodhur. Bardhi dhe Boçi kanë vetëm një rrugë që të shkarkojnë Berishën nga kryetari i Rithemelimit, dhe të ulen të diskutojnë për një marrëveshje të mundshme midis palëve. Tjetër nuk ka. Kjo është e qartë. Basha edhe sikur të dojë të bashkohet me Berishën s’e bën dot sepse ka një rezolutë të kuvendit kombëtar të PD, qëndrime në vijimësi të kryesisë së PD. Kjo është e gjithë rruga që mund të ndihet. Ose të ndahen nga Berisha, të heqin dorë me lojërat e Berishës ose rrugë tjetër me PD-në nuk kanë. Përpjekjet për t’u kthyer me formula false janë përpjekje të kota. Nëse bie kushti i ndarjes hapet rruga për bashkim. Ose Bardhi dhe Boçi të bindin SHBA të heqin non gratën për Berishën, jemi të gatshëm të diskutojmë.“, shtoi Kulluri./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!