Bardhi bën prapaktheu, Kastriotit i bashkohet Rezi për sulmin

schedule12:57 - 29 Gusht, 2020

schedule 12:57 - 29 Gusht, 2020

Kastrioti siguroi këtë sezon ngjitjen në Superiore dhe trajneri Ramazan Ndreu po pret nga drejtuesit afrime të rëndësishme. Ai e di mirë që për ta nuk do të jetë e lehtë, ndaj edhe kërkon lojtarë që mund ta përballojnë elitën e futbollit shqiptar.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa lojtarë që janë afruar, por ende skuadra krutane ka nevojë për përforcime. Një lajm i mirë për Ndreun është fakti që Patrik Bardhi është rikthyer në skuadër.

Sulmuesi anësor mendohej si një largim nga Kastrioti, por situata duket se ka ndryshuar. Një tjetër risi në kampin krutan ka qenë edhe prania e një tjetër sulmuesi. Ermir Rezi, i cili vjet ishte pjesë e Erzenit, i është bashkuar skuadrës së Ndreut.

Tekniku e njeh mirë lojtarin, pasi e ka pasur nën urdhra te skuadra e Kamzës në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Rezi mund të luajë në majë të sulmit dhe në krahë dhe shihet si një alternativë e mirë për sezonin e ardhshëm. / abcnews.al