Nuk duhet harruar se çfarë ndodhi në 14 janar. Barcelona po luante në fushën e një ekipi që pikërisht në atë mbrëmje eliminoi një gjigand si Reali i Madridit, duke e përjashtuar nga Kupa e Mbretit.
Gjithsesi, specialistët e këtij konkurrimi, futbollistët katalanas ia dolën duke pasur epërsi, por edhe duke vuajtur. Golat nga Lamin Jamal në pjesën e parë dhe Ronald Arauho pas pushimit kualifikuan Barçën në gjysmëfinale.
Sidoqoftë, lojtarët e trajnerit Hansi Flik janë kthyer në mjeshtra të spektaklit, por edhe për t’i hapur punë vetes. Edhe pse katalanasit dominuan me plot 72 për qind mbajtje topi, edhe pse bënë gati trefishin e gjuajtjeve të vendasve, ata humbën përsëri raste të pabesueshme dhe rrezikuan eliminimin.
Havi Moreno rihapi ndeshjen në 87’, dhe u desh ndërhyrja hyjnore e Gerard Martinit në sekondat e fundit që ndeshja të mos shkonte me shtesë. “El Mundo Deportivo” titullon thjesht: Në gjysmëfinale! Pranon që blaugranët vuajtën për të eliminuar ata që vrasin gjigandët!
E përditshmja “Marka” veçon rrjetën e shënuar nga Arauho, duke theksuar se mbrojtësi uruguajan kaloi problemet psikologjike, u kthye papritur titullar dhe shënoi një gol të rëndësishëm personal, që mund të quhet “goli I vitit”.
Pra, Barça ka rifituar një futbollist shumë të rëndësishëm. Skuadra “blaugrana” është gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Mbretit, trofe që e ka fituar 32 herë, një rekord absolut./abcnews.al


