Nuk është aspak diçka e re, ndonëse mrekullia sikur u ekzagjerua. Barcelona shkëlqeu sërish në Champions, duke u mbështetur tek djemtë e shtëpisë, dhe trajneri Hansi Flik barazoi rekordin e tij personal.
Në fushë përballë Olimpiakosit ishin plot 7 lojtarë të Akademisë “La Masia”, apo “kanteranos” siç I quajnë në Spanjë.
Yjet vendas quheshin Kubarsi, Erik Garsia, Balde, Kasado, Lamin Jamal, Dro dhe Fermin Lopez.
Në suksesin 6-1 ndaj grekëve katër prej golave u shënuan prej tyre, tri herë Fermin dhe një rrjetë me penallti nga Lamin.
Tekniku gjerman e kishte vendosur më parë këtë rekord, në javën e fundit të La Ligës sezonin e kaluar, me 7 “kanteranë” në Bilbao ndaj Atletikut vendas.
Ka pasur raste, që katalanasit e Flikut kanë luajtur me 5 dhe 6 talente të Akademisë.
Edhe pse sfida e javës së tretë të Ligës së Kampionëve nuk shkoi aq lehtë sa e thonë shifrat, sërish ky spektakël ishte mënyra më e mirë për t’u përgatitur për “El Klasikon” e së dielës në Madrid ndaj Realit.
Fermin Lopez ishte i jashtëzakonshëm, siç e theksoi edhe Flik, ndërsa pritet një përplasje e madhe në “Santiago Bernabeu”, në derbin e Spanjës, që katalanasit kanë treguar se dinë ta fitojnë, madje thellë./abcnews.al


