Largimi i Leo Messit nga Barcelona është për momentin tema më e diskutuar në botën e futbollit. Edhe pse arritën një akord paraprak, klubi katalanas dhe ylli argjentinas nuk ia dolën dot të bëjnë zyrtare rinovimin, temë rreth së cilës vazhdon të flasë Joan Laporta në konferencën për shtypin.
“Numrat që ishin paraqitur pas auditimit, janë shumë më tepër sesa ato që na kishin thënë dhe ato që kishim parashikuar bazuar në shifrat zyrtare. Humbjet e parashikuara janë shumë të larta, borxhet e parashikuara janë të larta.
Për të qenë korrektë me fair-play financiar të LaLiga, ne duhej të pranonim një marrëveshje të LaLiga që hipotekoi për gjysmë shekulli të drejtat televizive të një klubi me histori. Unë nuk mund ta lejoja kredinë e të drejtave televizive.
Rinovimi i Leos përfshinte pranimin e një operacioni që nuk është interesant për Barçën. Dua të jetë i qartë fakti që Leo donte të qëndronte, edhe ne gjithashtu. Rregulli i LaLiga mund të jetë më fleksibël, por kjo nuk është justifikim, sepse ne tashmë e dinim.
Arritëm një marrëveshje me Messin, por nuk na lejohet ta regjistrojmë atë në LaLiga për shkak të diferencës së pagës. Unë mendoj se ne kemi bërë më të mirën për Barcelonën, edhe Leo vuri të gjitha lehtësitë e mundshme.
Mesi lë një trashëgimi të shkëlqyer. Ai është lojtari me më shumë tituj në historinë e klubit. Ka lënë shumë gëzime, do donim të vazhdonte magjia e tij, por i jemi mirënjohës përjetë për atë që dhuroi te Barcelona“, deklaroi presidenti i Barcelonës. /abcnews.al