Barcelona arriti një fitore të thellë ndaj Romës, por me shumë polemika. Katalanasit nuk bindën në përballjen e parë çerekfinale në Champions.
Kishte futboll, por edhe politikë në “Camp Nou”, në çerekfinalen e parë të Championsit.
Skuadra e Barcelonës luftoi për të fituar në fushën e lojës ndaj Romës, ndërsa tifozët në tribuna, përveçse e mbështetën, bënë edhe thirrje për lirimin e udhëheqësve katalanas të burgosur nga shteti spanjoll.
Gjithsesi, çështja e politikës është punë e gjatë, ndërsa kualifikimi ndaj Romës duhet të merret deri javën tjetër, me Barçën që nuk është se bindi.
Fitoi vërtet 4-1, por Roma pretendoi për të paktën një penallti, ndërsa detyra e vendasve u lehtësua shumë nga dy autogola të miqve.
Daniele De Rosi gaboi rëndë në pjesën e parë, i detyruar nga prania e Mesit, ndërsa mbrojtësi Manolas ishte i vendosur për të shkaktuar autogol pas pushimit, duke goditur fillimisht shtyllën e portës së tij, e duke e dërguar pastaj topin në rrjetë.
Askush nuk i refuzon dhuratat, ndërsa pjesën tjetër Barça e bëri vetë, por pa shkëlqimin e dikurshëm.
Një nga simbolet e barcelonizmit dhe katalonizmit, Gerard Pike, nuk u duk shumë i kënaqur në përfundim, pavarësisht nga ato që tha.
Pike: “Luajtëm një ndeshje të mirë, dhe arritëm një rezultat të thellë që na jep mundësi të jemi pak më të qetë për duelin e kthimit, të cilin sidoqoftë, duhet ta përgatisim mirë. Gjithsesi, duhet të mendojmë për ndeshjen ndaj Leganjesit në ligë, pastaj për kthimin në Romë”.
Është e çuditshme të kritikohet Barcelona, skuadra e vetme në Europë brenda të gjithë objektivave, në krye të La Ligës, në finale të Kupës së Mbretit dhe thuajse në gjysmëfinale të Championsit.
Trajneri Ernesto Valverde, megjithatë, nuk u fsheh pas statistikave.
Valverde: “Ishte një ndeshje e komplikuar dhe e vështirë. Roma bëri një paraqitje shumë të mirë përtej asaj që thotë rezultati i thellë. Kundërshtari ushtroi presion të madh, deri tek zona jonë e rreptësisë dhe kjo bëri që hera-herës të mos kishim vazhdimësi në lojë. E patëm të vështirë të kalonim barrierën e parë të tyre, por kur dilnim në sulm ishim të rrezikshëm ndaj erdhën edhe golat”.
Skuadra italiane duke e pashpresë pas kësaj disfate të thellë, edhe pse trajneri Di Françesko e pati për detyrë t’u jepte kurajë lojtarëve të tij.
Di Françesko: “Barcelona mund të ndihmohej më pak nga arbitrat, sipas mendimit tim. Pati disa vendime që ndikuan tek rezultati dhe Barcelonë është një skuadër e madhe që nuk ka nevojë për këtë. Kundërshtari ishte i fortë, por edhe ne bëmë pjesën tonë, me disa gabime individuale, duke ia lehtësuar punën, gjëra që nuk mund të lejohen ndaj një skuadre të tillë. Gjithsesi, jam i kënaqur për karakterin dhe paraqitjen e skuadrës, edhe pse e prishëm punën vetë. Duhet të kërkojmë të zhvillojmë një ndeshje të madhe në “Olimpiko” për të vazhduar të ëndërrojmë. Kurrë nuk i dihet”.
Përtej kritikave, Barcelona mbetet e frikshme.
Nëse Mesi, Iniesta apo Pike do të jenë në formën e duhur fizike dhe psikologjike, formacioni katalanas do të kthehet sërish ai I zakonshmi.
Jo më kot, nuk ka humbur deri tani asnjë ndeshje në kampionat dhe në Champions./abcnews.al