Barcelona arriti një tjetër fitore në ligën spanjolle, dhe ruajti diferencën me ndjekësin më të afërt, Atletikon. Gjithsesi, skuadra katalanase, sërish nuk bindi me lojën e saj.
Gerard Pike, Lionel Mesi dhe Luis Suarez. “Senatorët” shënuan dhe Barcelona fitoi duke mbajtur ritmin në La Liga, edhe pse sërish nuk bindi. Rajo Vajekano e vendeve të fundit u tregua e rrezikshme në “Kamp Nou” dhe u përpoq të përfitonte përballë gjigandit katalanas jo në maksimum, por sërish nuk ia doli.
Nuk kemi ç’të themi, e tillë është Barça e trajnerit Ernesto Valverde, më pak e bukur dhe më shumë pragmatiste, siç e tregoi në dy ndeshjet ndaj Realit në “Santiago Bernabeu”.
Fitorja 3-1 bëri që të ruhej diferenca prej 7 pikësh me Atletikon e Madridit (që fitoi 1-0 ndaj Leganjesit) dhe të hidhej një tjetër hap drejt titullit të dytë radhazi në Spanjë. Raul de Tomas kaloi në avantazh miqtë në 24’, ndërsa katalanasit humbën raste të pastra me Kutinjon dhe Mesin.
Ishte pikërisht Mesi që shërbeu asistin për golin e Pikesë në 39’, ndërsa pas pushimit u aktivizua Dembele. Me të nisur pjesa e dytë, Semedo fitoi penallti dhe Mesi nuk gaboi këtë herë, ndërsa në 82’ Suarez përfundoi një kombinim me Dembelenë dhe Rakitiçin.
A mundet ky ekip, aspak spektakolar si dikur, të fitojë gjithçka këtë sezon?
Në Spanjë, thuajse gjithçka ka marrë fund, madje Murinjo mendon se katalanasit mund t’ia dalin edhe në Champions. Në La Liga, Barcelona ka 63 pikë ndaj 56 të Atletikos, ndërsa Reali është prapa, me vetëm 48, edhe pse ka një ndeshje më pak të luajtur./abcnews.al