Barcelona fiton lehtë në Kupën e Mbretit. Sukses edhe për Xhani De Biazin

schedule14:13 - 25 Tetor, 2017

schedule 14:13 - 25 Tetor, 2017

Barcelona arriti një fitore të lehtë në Kupën e Mbretit në Spanjë, në një ndeshje ku munguan yjet kryesorë të skuadrës. Sukses edhe për ish-trajnerin e Shqipërisë, Xhani De Biazi. Ishin të paktë titullarët në Kupë. Barcelona tregoi se ka edhe një stol të rëndësishëm këtë sezon, ndërsa arriti fitoren 3-0 në fushën e Mursias, falë talenteve më të rinj dhe futbollistëve rezervë. Nuk ishin në fushë të tillë si Mesi, Iniesta, Pike apo Suarez, ndërsa vetëm emra si Deulofeu, Denis Suarez apo Semedo tingëllonin të njohur. Pako Alkaser, Deulofeu dhe Arnaiz ishin autorët e golave, ku më shumë spikatën dy lojtarët e fundit. Deulofeu ishte udhëheqësi, ndërsa Hoze Manuel Arnaiz mund të quhet talenti I së ardhmes. Arnaiz është 22 vjeç, lojtar krahu, dhe ka ardhur këtë vit tek Barcelona. Suksesin në Kupë e kërkoi edhe Xhani De Biazi. Ish-trajneri I Shqipërisë, sot tek Alaveshi, e dinte se kishte detyrimin për t’u paraqitur mirë në një kompeticion ku skuadra e tij vjet arriti finalen . “Është e rëndësishme të fitojmë”, – tha De Biazi, dhe ashtu ndodhi. Alavesh ia doli 1-0 në fushën e Getafes, duke hedhur një hap drejt raundit tjetër. Fati I përballjes u vendos nga një gol në momentet e fundit, shënuar nga Kristian Santos, ndërsa De Biazi provoi mjaft lojtarë të rinj dhe rezervë, për të ruajtur forcat në kampionat. Alavesh dhe trajneri italian kanë një detyrë të vështirë për të siguruar mbijetesën, ndërsa ndodhen në vendin e parafundit me vetëm 3 pikë pas plot 9 ndeshjeve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!