Barcelona humbi zotërimin e topit në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll. Pavarësisht se skuadra e Lionel Mesit vazhdon të fitojë, ajo duket se po e humbet identitetin e saj të dikurshëm.
Rezultati ishte ai që duhej, sidomos pas një lodhjeje të tillë si ajo e Championsit.
Barcelona hodhi një tjetër hap drejt titullit kampion në Spanjë duke mundur 2-1 Sociedadin në “Kamp Nou”, por gjithsesi skuadra e madhe duket se po largohet pak nga pak nga vetvetja.
Gazeta “Marka” informon se përballë Sociedadit, ekipi i trajnerit Valverde humbi epërsinë në zotërimin e topit, edhe pse për fare pak, 51 me 49 në favor të miqve.
Edhe pse në fushë ishin lojtarët më të mirë, si Mesi, Suarez, Rakitiç, Artur, Pike apo Zhordi Alba, sërish loja nuk ishte ajo e stilit të zakonshëm tiki-taka.
Natyrisht, ky ishte një rast i rrallë që i ndodhi katalanasve, por këto raste po shtohen në dy sezonet e fundit dhe duket se kanë lidhje me filozofinë e Valverdes.
Po këtë sezon, Barcelona humbi në zotërimin e topit në ndeshjen ndaj Totenhemit në “Kamp Nou”, për Ligën e Kampionëve, ndonëse katalanasit nuk luanin në atë ndeshje për asgjë, duke qenë të kualifikuar dhe në vend të parë në grup.
Totenhemi mbajti sferën në pak më shumë se 51 për qind, në duelin që përfundoi 1-1.
Një rast I tillë edhe sezonin e kaluar, në duelin ndaj fushën e Betisit, në La Liga, kur Barça e zotëroi topin 48.68 për qind.
Kjo nuk ndikoi aspak në rezultat, pasi Mesi me shokë fituan 4-1.
Pavarësisht humbjes së identitetit, Barcelona po vazhdon të fitojë dhe synon seriozisht të fitojë tre trofe këtë sezon, La Ligën, Kupën e Mbretit dhe sidomos Championsin. /abcnews.al