Barcelona, batuta me Messin dhe aventura te Sevilla: Rakitic i thotë të gjitha

schedule13:13 - 4 Mars, 2021

schedule 13:13 - 4 Mars, 2021

Kapiteni i Sevillas, Ivan Rakitic, është rikthyer të flasë për karrierën e tij. Në një intervistë për “LaLiga TV”, mesfushori ndalet tek aventura që ka përjetuar në Barcelonë si dhe vlerëson punën e bërë nga drejtuesit e Sevillas në vitet e fundit. Në fund ai kujton dhe një batutë me Leo Messin, për të cilin Rakitic është krenar që ka një trofe që argjentinasi nuk do ta ketë kurrë.

 

SEVILLA – “Klubi është rritur shumë në vitet e fundit. Tashmë drejtuesit janë më kërkues. Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe ta meritojmë atë. Është e rëndësishme që t’i bëjmë gjërat mirë dhe e them me bindje se ka ndryshuar tërësisht kultura e klubit.

BARCELONA – “Uria për fitore atje ishte e pabesueshme. Isha me fat që luajta një vit me Xavin dhe disa sezone me Iniestën. Mësova shumë brenda në fushë prej tyre, por edhe jashtë saj. U bashkova me një ekip që ishte në kulmin e tij, por e dija se një ditë mund të bëhesha si ta me përkushtim e me punë. Nuk ishte rastësi që ne fituam gjithçka. Para finales së Championsit në Berlin kundër Juventusit ne i thamë njëri tjetrit se nëse qëndrojmë të bashkuar askush nuk mund të na mundë. Dhe ne ia dolëm”.

 

LEO MESSI – “Më kujtohet një batutë që kam me Leon. Ai shënonte shumë gola dhe të gjithë i dimë vlerat e tij. Por, unë i thoja se kam një trofe që ti nuk do të fitosh kurrë. Bëhet fjalë për Europa League”, përfundon i buzëqeshur kroati, i cili e ka fituar dy herë trofeun europian me Sevillan nën drejtimin e Unay Emery. /abcnews.al