Nuk ishte edhe aq e lehtë, por gjithsesi e merituar.
Barcelona vazhdon marshimin në La Ligën e Spanjës me një tjetër sukses, duke treguar se periudha e përshtatjes me stilin e trajnerit Hansi Flik ka përfunduar.
E kualifikuar direkt për në të tetat e finaleve në Champions, katalanasit e kanë pasur më të lehtë të përqëndrohen në kampionat dhe fitorja 2-0 në Las Palmas e tregoi.
Dani Olmo dhe Ferran Torres siguruan tri pikët, edhe pse kjo ndodhi vetëm pas pushimit.
Madje, suksesi u garantua vetëm në minutën e pestë shtesë kur u realizua goli I dytë.
Gjithsesi, ekipi “blaugrana” ishte më I miri në fushë, me 71 për qind mbajt topi dhe gati 670 pasime, 400 më shumë sesa vendasit, duke demonstruar një lloj të ri të tiki-takës.
Edhe gjuajtjet ishin mjaft në favor të katalanasve, që janë skuadra me më shumë gola në kampionat, 67, shumë më tepër sesa Reali apo Atletiko.
“Një lider solid, – shkruan “El Mundo Deportivo” nga Katalonja, me foton e Dani Olmos në kopertinë, – triumf I vuajtur, por I merituar!”
Nga Madridi, e përditshmja “Marka” ka në kopertinë foton e Hulian Alvaresit me dy gola për Atletikon dhe titullon: “Është një luftë e hapur!”
Fjala është për garën për titull, sepse janë tre skuadra të përfshira e duket se kështu do të vazhdojë deri në fund.
Atletiko e Madridit fitoi gjithashtu, edhe ajo jashtë fushe.
Suksesi në Valencia ishte 3-0 me dy gola nga argjentinasi Alvarez dhe një nga Korrea.
Barcelona ka 54 pikë në vend të parë, Atletiko është pranë me 53.


