Barça konfirmoi dominimin në Madrid ndaj Realit me fitoren e tretë radhazi

schedule13:39 - 24 Dhjetor, 2017

schedule 13:39 - 24 Dhjetor, 2017

Barcelona vazhdoi dominimin ndaj Realit, dhe Lionel Mesi fitoi duelin me Kristiano Ronaldon. Mediat europiane vlerësojnë larg suksesin e katalanasve në “El Klasiko”.

Shkuan, panë, fituan!
Shprehja e vjetër romake i shkon shumë për shtat “El Klasikos” së fundit, fituar nga Barcelona në fushën e Realit.
Mesi, Iniesta, Pike apo Suarez hynë në stadiumin mitik “Santiago Bernabeu” si në shtëpinë e tyre dhe as nuk e patën problem fitoren 3-0.
Pavarësisht një pjese të parë të vështirë, yjet katalanas dominuan pas pushimit, me Lionel Mesin që i kujtoi Kristiano Ronaldos se kush është lojtari më i mirë në botë.
Argjentinasi ishte i paprekshëm, duke krijuar çdo aksion, duke krijuar golin e tretë fare pa këpucë, dhe duke shënuar golin që i lejoi të thyente rekordin e Gerd Mylerit, me 526 rrjeta në një klub të vetëm.

Kristiano ishte një hap larg vërshëllimave, të cilat I mori të gjitha Karim Benzema.
Në përfundim, hareja në korridoret e “Bernabeut” dhe festa në dhomën e zhveshjes, ishin plotësisht të ligjshme.
Trajneri Ernesto Valverde, gjithsesi, nuk dëshiron eufori.
“Nuk e kemi fituar ende kampionatin, – tha ai, – me Realin, asnjë lloj diference nuk është shumë e madhe, edhe pse jemi në pozicion shumë të mirë. Titulli nuk mund të quhet I vendosur kur nuk ka përfunduar ende faza e parë, ndërsa ka edhe rivalë të tjerë. As nuk mendoj se e kam fituar duelin me Zidanin. Duhet të vazhdojmë kështu si deri tani”.
Po trajneri i Realit, çfarë thotë?

“E di se janë gati të më vendosin në gijotinë, por po ju them se nuk do të ndryshoja asgjë edhe sikur ndeshja të luhej nga e para. Nëse ne do të kishim shënuar në pjesën e parë, gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Natyrisht, unë marr përgjegjësinë time, por nuk mendoj se fati I kampionatit është vendosur”.

Zidan rrezikon shkarkimin, diçka ironike dhe paradoksale pas fitores së 5 trofeve të mëdhenj në 2017.
Pritet se çfarë do të bëjë presidenti Florentino Perez.
Mediat natyrisht nuk ishin aspak të këndshme me Realin.

“Marka”: “Zidan i mbytur nga mendimet. Barcelona shkatërron një Madrid të shpërfytyruar nga gabimet taktike”.
“AS”: “Barcelona arratiset! Zidan rrezikoi me Kovaçiçin në vend të Iskos dhe i doli keq!

“El Mundo Deportivo”: “Kafshërore! Me një pjesë të dytë të jashtëzakonshme, Barça pushton “Bernabeun” “.
“Sport”: “Gëzuar Krishtlindjet! Një Barçë kolosale pushton sërish “Bernabeun” dhe vendos fatin e kampionatit”.

“La Gazeta delo Sport”: “Mesi gjenial! Barcelona shkatërron Madridin dhe sheh titullin”!
“L’Ekip”: “Mesi ngrin Realin! Argjentinasi ndriçon El Klasikon dhe Barça konfirmon supremacinë!

“Deili Meil”: “Mesi thyen rekordin e Gerd Mylerit duke u bërë shënuesi më i mirë në Europë në 5 ligat e mëdha, me 526 gola të shënuara vetëm për një skuadër”
“Bild”: “Mesi jep pasimin e golit vetëm me çorape!
Kthimi në shtëpi ishte shumë i lumtur për katalanasit, me legjendën Pujol që iu bashkua ekipit.

Me 14 pikë epërsi ndaj Realit, Barcelona e ka lënë pas periudhën e zezë të largimit të Nejmarit.
Pavarësisht nëse merren apo jo përforcime në janar, e ardhmja e sezonit duket e shkëlqyer për një skuadër dhe për yje të mësuar vetëm me trofe të mëdhenj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!