Një skuadër e tillë mund ta bëjë. Barcelona është nga ata gjigandë që mund të kthehen nga buza e greminës, ndërsa fati I saj u kthye për mbarë edhe në sallën e gjyqit.
Në të njëjtën ditë pati dy ngjarje të mëdha, kualifikimi në finale të Superkupës së Spanjës, konkurrim që po mbahet në Arabinë Saudite.
Jo vetëm kaq, por përpara ndeshjes erdhi lajmi i madh se Dani Olmo mund të regjistrohet në skuadrën e trajnerit Hansi Flik, ashtu si edhe Pau Viktor, pas një vendimi gjyqësor, ndërsa procesi vazhdon.
Më herët, ishte hedhur poshtë kërkesa e Barçës për t’i regjistruar këtë sezon, me arsyesimin se shkeleshin rregullat financiare të La Ligës. Olmo e Viktor gjithsesi nuk luajtën dot në gjysmëfinalen kundër Bilbaos, por do të jenë në ekip në finale.
Suksesi 2-0 në Riad u arrit me golat e shënuar nga Gavi në 17’ dhe Lamin Jamal në 52’. Skuadra “blaugrana” e meritoi sepse luajti më mirë sesa baskët në të gjitha drejtimet dhe elementët e futbollit. “Fitore e dyfishtë”, – shkruan me të drejtë “El Mundo Deportivo”, – Barçelona festoi vendimin për Olmon dhe Viktorin me kalimin në finalen e Kupës!”
“Në finale me Olmon”, – vazhdon në të njëjtën linjë e përditshmja “Sport”, që thekson se katalanasit mund të fitojnë trofeun e parë, dhe se në finale do të jenë Olmo e Viktor!
Presidenti Zhoan Laporta festoi si I çmendur vendimin e dhënë për dy lojtarët, edhe pse kjo është një fitore e përkohshme.
Ende ekziston rreziku që në përfundim ata të mos lejohen të luajnë për katalanasit. Sidoqoftë, për momentin Barcelona ka mundësi të fitojë trofeun e parë të sezonit, dhe kjo nuk është aspak gjë e vogël në një moment kaq të vështirë./abcnews.al