Ishte ky momenti i apoteozës.
Barcelona ishte në prag të një tjetër dështimi të madh, e madje edhe në prag të humbjes, por një çast fatlum i dha fitoren.
Ndodh shpesh kështu me gjigandët e futbollit, ndërsa Zhirona u mund 2-1 në minutën e 93-të me gol të shënuar nga mbrojtësi Arauho, të cilin trajneri Hansi Flik e kishte kthyer në qendërsulmues.
Një çlirim i jashtëzakonshëm në një duel tepër të vështirë në La Liga, që kulmoi edhe me përjashtimin e trajnerit Hansi Flik.
Tekniku gjerman mori dy të verdha, pra edhe të kuq, protestoi ashpër ndaj gjyqtarit, dhe për fat të keq do të humbasë “El Klasikon” ndaj Realit në “Santiago Bernabeu” të Madridit, të dielën e ardhshme të 26 tetorit.
Flik, që festoi në mënyrë ndoshta të turpshme pas fitores, dha këtë shpjegim.
“Futbolli është lojë emocionesh, ka tension. Nuk dua të komentoj kartonin e kuq, por unë nuk isha i lumtur me vendimet e arbitrit. Më pas festova fort pas golit të fitores. Nuk është se doja të ofendoja dikë. Festimi im nuk ishte për arbitrin, por për fitoren. Unë nuk e di se përse më dha kartonin e dytë, por unë i pranoj vendimet e arbitrave. Kjo fitore besoj se do të na japë më shumë besim, do të na bëjë me krahë për ndeshjet e radhës. Këtë sezon nuk po luajmë aq mirë sa vjet”.
Barcelona kaloi në epërsi në 13’ me anë të Pedrit, por Vicel barazoi shpejt, që në 20’.
Më pas të dyja skuadrat patën raste, por shpërdoruan. Shqetëson shumë monotonia e lojës së kësaj Barçe, që vërtet dominon me 68 për qind zotërim topi dhe me 27 gjuajtje ndaj 11 të rivalit, por që nuk rrezikon sa duhet.
“Furi blaugrana, – titullon “El Mundo Deportivo” me foton e shënuesit Arauho dhe Hansi Flikut të nxehur, – Barça fiton një tjetër ndeshje të vështirë!”
“Zemërim, krenari dhe fitore”, – është titulli i të përditshmet tjetër katalanase, “Sport”, që komentoi se ekipi blaugrana nuk luajti mirë dhe mund të kishte humbur”./abcnews.al


