Kurrë nuk ka humbur ndaj një ekipi të këtij vendi në Mynih. “Alianc Arena” mbetet fortesa e Bajernit ndaj skuadrave portugeze, edhe kur kanë mbërritur Porto e Benfika, e po ashtu tani edhe Sportingu.
Kampionët e Gjermanisë, edhe pse humbën me shifrat 3-1 në Londër ndaj Arsenalit, sërish janë në pozita të forta në Champions, në vendin e tretë në renditje, dhe padyshim që mbeten favoritë absolutë për fitore.
Që pas humbjes me “topçinjtë” kanë ardhur tri fitore ndaj rivalëve gjermanë, me Harri Kejnin në formë të shkëlqyer.
Bavarezët nuk kanë probleme, dhe trajneri Vinsent Kompani mund të zgjedhë cilindo lojtar që dëshiron, me përjashtim të Luis Diazit që pikërisht këtë herë shlyen ndeshjen e fundit të pezullimit.
Portugezët ndërkaq do të kenë mungesa të rëndësishme, dhe saktësisht tre. Fransisko Trinsao, Zhovani Kuenda dhe Pedro Gonsalves janë jashtë dhe ata përbëjnë një pjesë të madhe të forcës sulmuese të ekipit.
Këtë mbrëmje në Champions luan edhe Barcelona, që do të presë në “Kamp Nou” Frankfurtin. Katalanasit janë në situatë krejt tjetër në krahasim me bavarezët, vetëm në vendin e 18-të, dhe rrezikojnë jo vetëm kualifikim direkt, por edhe që të mos shkojnë në plej of, pra të eliminohen fare.
Gjithsesi, lajmet e mira janë që ekipi “blaugrana” është në vendin e parë në La Ligë, pra në formë të mirë në Spanjë. Trajneri Hansi Flik nuk ka mbrojtësin Arauho, që ka marrë leje nga klubi si dhe Dani Olmon e dëmtuar, ashtu si dhe portierin Shezin e Gavin. Gardiani titullar, Ter Shtegen është i rikuperuar, por sërish mes shtyllave pritet të luajë Zhoan Garsia, ndërsa në formë janë Pedri, Lamin Jamal e sidomos Fermin Lopez./abcnews.al

