Barazon rekordin e një kampioni bote, Muller tenton legjendat e Bayernit

schedule16:39 - 28 Tetor, 2020

schedule 16:39 - 28 Tetor, 2020

Bayern Munchen fitoi 1-2 mbrëmjen e kaluar në Moskë kundër Lokomotivës vendase. Golat e Leon Goretzka dhe Joshua Kimmich i dhuruan fitoren e dytë radhazi në Champions kampionëve në fuqi, teksa kjo ishte një sfidë e veçantë për Thomas Muller.

Sulmuesi bavarez e nisi si titullar dhe regjistroi ndeshjen e 545-të zyrtare me rekordmenët gjermanë, duke barazuar një legjendë si Klaus Augenthaler (kampion bote me Gjermaninë në vitin 1990). Vetëm pesë lojtarë kanë veshur fanellën e Bayernit më shumë se 31-vjeçari.

Ata janë Georg Schwarzenbeck (554), Franz Beckenbauer (584), Gerd Muller (605), Oliver Kahn (632) dhe Sepp Maier (699). Nëse marrim parasysh vetëm ndeshjet e luajtura prej vitit 1965 (kohë kur Bayerni u ngjit në Bundesligë), Muller qëndron në vend të tretë.

Vetëm Schwarzenbeck (547) dhe Gerd Muller (565) numërojnë më shumë sfida se sulmuesi i ekipit të Hans-Dieter Flick, i cili ka edhe disa vite karrierë përpara dhe do të tentojë t’i përmirësojë sa më shumë shifrat e tij me skuadrën e zemrës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!