Liverpool po marshon fort drejt fitimit të Premier League, trofe që mungon në “Anfield” prej vitit të largët 1990. Skuadra e Jurgen Klopp po zhvillon një kampionat për kornizë dhe numëron një barazim dhe të gjitha fitore në 26 javë.
Objektivi i madh është që të mbyllë kampionatin pa humbje, njësoj siç bëri Arsenali i Arsene Wenger në sezonin 2003-2004. Ish-trajneri i “Topçinjve” tregohet i sinqertë në një prononcim nga ceremonia e Laureus Sports Awards dhe pranon se “The Reds” mund ta thyejnë rekordin e ish-skuadrës së tij.
“Liverpool mund të thyeje rekordin e Arsenalit të pamposhturve. Djemtë e Klopp po bëjnë jashtëzakonisht mirë. Janë një skuadër që prodhon vazhdimësi rezultatesh dhe dinë të luftojnë në fushën e blertë. Të shohim, rekordet janë bërë për t’u thyer, Liverpool mund t’ia dalë“, deklaron Arsene Wenger. /abcnews.al