Barazim në kryendeshjen e Anglisë, Mançester Junajtid-Liverpul

schedule19:30 - 24 Shkurt, 2019

schedule 19:30 - 24 Shkurt, 2019

Përfundon në barazim pa gola ndeshja kryesore e kampionatit anglez, mes Mançester Junajtidit dhe Liverpulit. Në stadiumin “Old Traford” pati pak emocione dhe shumë dëmtime

Pritej krejt tjetër gjë nga ky duel. Anglia, madje edhe gjithë Europa, mbajti frymën për të ndjekur kryendeshjen e Premier Ligës, mes Mançester Junajtidit e Liverpulit, por pa asnjë dyshim, më së shumti pati zhgënjim.

Asnjë gol në stadiumin “Old Traford” të mbiquajtur “Teatri i Ëndrrave”, që u kthye papritur në një infermieri gjigande.

Junajtid u detyrua të bënte të tre ndërrimet në pjesën e parë për shkak të dëmtimeve të Ander Herrerës, Huan Matës e Xhesi Lingardit, ndërsa miqtë nxorrën nga fusha Roberto Firminon, po të dëmtuar.

Mbizotëroi frika dhe loja taktike në atë që shpresohej të ishte një spektakël, me vetëm katër gjuajtje që arritën në kuadratin e të dyja portave.

Liverpuli e deshi më shumë fitoren, dhe e mbajti topin 65 për qind, po ashtu bëri më shumë pasime, si dhe ekzekutoi dyfishin e goditjeve nga këndi.

Gjithçka pa dobi, sepse as skuadra e trajnerit Klop nuk guxoi aq sa për të fituar, dhe as ajo e Solskjerit nuk hoqi dorë nga mbrojtja me shumë lojtarë prapa.

As aktivizimi I Xherdan Shaqirit nuk e ndryshoi gjendjen, me shqiptarin e Zvicrës që mori karton të verdhë.

Barazimi në “Old Traford”, gjithsesi, nuk mund të quhet rezultat i keq për Liverpulin që u ngjit në krye të renditjes me 66 pikë, një më shumë sesa Mançester Siti.

Shpresa është që edhe skuadra e Guardiolës të ndalet në derbin me Junajtidin, ndryshe gara për titull do të bëhet shumë e vështirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!