Një nga pastiçeritë më të famshme në Vjenë, e hapur që në vitin 1891 është detyruar të mos prodhojë më asgjë, pasi banorët pranë saj ankoheshin për aromat që vinin prej saj, shkruan RaiNews.
Nuk ishte aroma e ushqimeve të skuqura apo të atyre që zihen që shqetësuan fqinjët e ndjeshëm të sheshit në bashkinë e Vjenës. Por aroma e ëmbëlsirave dhe tortave që vijnë nga pastiçeria antike Sluka.
Protestat e banorëve kanë detyruar autoritetet që të mbyllin aktivitetin. Pastiçeria historike e hapur që në vitin 1891, gjatë viteve ka shërbyer me ëmbëlsira dhe torta edhe oborrit mbretëror austro-hungarez. Por aroma që vjen nga ky dyqan nuk i ka pëlqyer fqinjëve, dhe pas një beteje të gjatë ligjore, pastiçeria nuk do të prodhojë më asgjë.
Por autoritetet vendore me anë të një mesazhi në Twitter konfirmuan se pastiçeria nuk do të mbyllet, do të vazhdojë të shesë produktet e saj, të cilat do të përgatiten në një filial tjetër të kryeqytetit austriak. Vetë pastiçeria premton se arti i gatimit dhe përbërësit do të qëndrojnë të njëjtë si në kohën e perandorisë austro-hungareze./abcnews.al