Banorët lokalë ndihmojnë ushtrinë afgane në luftën kundër Talibanëve

schedule20:33 - 14 Korrik, 2021

schedule 20:33 - 14 Korrik, 2021

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po tërheqin trupat e tyre nga Afganistani, sulmet e Talibanëve janë rritur ndjeshëm dhe ky grup po zgjeron territorin në disa zona rurale në të gjithë vendin. Por, mijëra banorë vendas në Afganistanin verior po i bashkohen ushtrisë afgane në luftën kundër Talibanëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Abdulbasir Ilgor sjellë hollësitë nga provinca Jovazan në veri të Afganistanit.

Luftimet mes ushtrisë afgane dhe Talibanëve vazhdojnë rreth provincës veriore të Afganistanit, Jovazan.

Autoritetet lokale thonë se luftimet po zhvillohen në një distancë prej 30 kilometrash nga kryeqyteti i provincës së Jovazanit, Sheberghan, në të cilin jeton mbi gjysma e popullsisë së provincës.

Grupe të armatosura të banorëve lokalë janë bashkuar me ushtrinë afgane për të mbrojtur rajonin e tyre nga Talibanët.

“Këta uzbekë po përballen me Talibanët dhe njerëzit tanë nuk duhet të shqetësohen. Së shpejti ne do ta dëbojmë armikun nga fshati”, thotë komandanti i forcave lokale Abdul Bashir.

Ndërsa Talibanët vazhdojnë të bëjnë presion të fortë në zonat rurale, komandantët lokalë të Ushtrisë Kombëtare afgane në qytetin Sheberghan thonë se Talibanët kanë pësuar viktima në ditët e fundit dhe sigurojnë vendasit se ata do të mbrojnë rajonin.

“Populli afgan duhet ta dijë se ushtria do të sakrifikojë gjakun e saj dhe nuk do t’ia dorëzojë tokën armikut”, tha komandanti i ushtrisë afgane, Abdul Ghani Nizami.

Ndërkohë, banorët e qytetit dolën në rrugë në mbështetje të ushtrisë dhe thonë se ata do të marrin pjesë në luftime nëse qeveria ia lejon këtë.

“Ne do të mbështesim sundimin e ligjit dhe integritetin territorial. Ne do të mbështesim ushtarët tanë dhe do t’i mbrojmë ata”, tha Abdullah Hayot nga Partia Lëvizja Kombëtare.

“Të gjithë, të rinj dhe të moshuar, varen nga ne për të mbrojtur vendin tonë. Ne mbështesim vëllezërit tanë. Ne nuk do të lejojmë që hajdutët të vjedhin pronat tona”, tha banori i provincës Jovazan, Abdul Matallib Yulmas.

Qeveria lokale thotë se po punon për një plan për të dërguar vullnetarë në frontin e luftës.

“Ne falënderojmë dhe mbështesim ata që janë bashkuar për të mbrojtur Afganistanin”, tha zëvendës guvernatori i provincës së Jovazanit, Abdul Qadir Maliya.

Talibanët ende nuk kanë bërë komente për luftimet në periferi të Sheberghanit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!