Banorët e fshatit Lumas kanë dalë sot në protestë përpara bashkisë së Kuçovës.
Ata janë mbledhur sërish kundër ndërtimit të një ujësjellësi me ujin e burimit të Sinecit.
Sipas banorëve,bashkia e Kuçovës ka filluar prej një jave piketimet rreth burimit për të ndërtuar aty një ujësjellës pa u konsultuar me asnjë prej banorëve dhe pa u dhënë atyre asnjë shpjegim.
Prej më shumë se 1-ore ata janë grumbulluar përpara bashkisë, ku pritën të takoheshin edhe me drejtuesit e këtij institucioni.
Sipas banorëve, nëse aty do të ndërtohet një ujësjellës, uji i burimit të Sinecit do të devijohet dhe banorët do të ngelen pa ujë, ndërkohë që edhe tokat bujqësore do të thahen.
Banorët shprehen se,ata nuk do të lejojnë askënd të shfrytëzojë të vetmin burim natyror që ata kanë dhe që prej shekujsh e kanë përdorur për nevojat e tyre familjare, për të vaditur tokat bujqësore dhe për të pirë ujë.
“Nuk jemi dakord fare që të preket Sineci sepse e gjithë zona do të thahet. Këtë gabim do ta kuptojnë kur ta bëjnë”, tha një nga banorët.
Një përfaqësi e protestuesve është takuar edhe me kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili u ka komunikuar banorëve se ndërtimi i këtij ujësjellësi nuk do të ndikojë aspak në minimizimin e nivelit dhe prurjeve të burimit të Sinecit.
Sipas tij, banorët do ta kenë sërish sasinë e nevojshme të ujit nga ky burim për nevojat e tyre familjare dhe për vaditje.
Pas takimit me kryebashkiakun Hajdari, banorët kanë deklaruar se nuk besojnë në premtimet që u dhanë prej tij duke shtuar se ata nuk do ti lejojnë vazhdimet e punimeve për këtë ujësjellës.
“Ka shtet këtu? Ka! Kryetari i Bashkisë përse nuk del të shohë se në çfarë gjendje jemi ne. Ne do të mundohemi ta mbrojmë me çdo kusht. Ajo tokë që kemi ne, nëse nuk vaditet nuk prodhon më”, thotë një tjetër qytetar.
“Nëse merret ai burim, të gjithë ne që jemi këtu dhe ajo zonë është e minuar. Ashtu siç i ra Vlonjatit, Durrsakut i ra deti, ndërsa Shkodranit i ranë Alpet, ne këtë kemi. Po u mor Sineci atëherë atje nuk jetohet më, Atëherë do të jetë e mbaruar çdo gjë. Në behar zona shfrytëzohet për turizëm”, tha një tjetër banor.
Uji i burimit të Sinecit është përdorur si ujë komunal për 4 fshatra të komunës së Lumasit dhe me këtë burim vaditen 150 ha tokë bujqësore.
/abcnews.al/