Banorët grumbullim për të marrë ndihmat, reagon Bashkia Fier: Ishim të detyruar të vepronim kështu!

schedule19:53 - 14 Prill, 2020

schedule 19:53 - 14 Prill, 2020

Gjatë ditës së sotme janë publikuar pamje ku shihen disa banorë të komunitetit rom në Fier të grumbulluar teksa marrin ndihmat të cilat ndaheshin nga Bashkia e qytetit.

Në lidhje me këto pamje ka reaguar kryeministri Rama përmes një mesazhi në rrjetet sociale ku shkruante se ishte e turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën, dhe se ish-deputete të caktuar gënjenin publikun.

Sakaq ka reaguar ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe kreu i kësaj të Fundit në Fier, Luan Baçi.

Baçi ka replikuar në distancë me Kryeministrin Rama, duke shkruar në rrjetet sociale se reagimi i Ramës është i turpshëm, dhe se organet drejtuese nuk dinin të kontrollonin, dhe menaxhonin situatën.

Ndërkohë Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi pas interesimit të ABC News, ka deklaruar se në një fshat ditën e sotme ka patur grumbullim të romëve por se kjo gjë ka qenë e detyruar pasi nuk kishte zgjidhje tjetër.

Siç raporton gazetarja Valbona Davidhi për abcnews.al, kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi ka bërë me dije se ditën e premte ngarkesa me ndihma është kthyer mbrapsht pasi banorët u grumbulluan, por ditën e sotme vendosën ti shpërndanin, dhe bashkia ishte e detyruar të vepronte kështu.

Në videot e publikuara shihen banorë të komunitetit rom të grumbulluar për të marrë ndihmat në një kohë kur distancomi social është i detyrueshëm për shkak të pandemisë së Covid-19./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!