Banorët e Unazës së Re vijojnë protestën

schedule22:15 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 22:15 - 4 Dhjetor, 2018

Edhe sot pasdite banorët e Unazës së Re protestuan sërish në rrugë dhe bllokuan qarkullimin. Protestës sërish i ishin bashkuar deputetë opozitarë. Ndërsa Bashkia vijon prishjen e objekteve pa leje në këtë zonë, në gjurmën e Unazes së Madhe.

Banorët e Unazës së Re të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe protestuan serish pasditen e se martes. Me thirrje kundër kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj dhe të veshur me jelekë portokalli ata bllokuan trafikun përreth 90 minuta. Banorët vijojnë të kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, duke kërkuar dëmshpërblim të plotë konform ligjit.

Ndërsa banorët ishin mbledhur në protestën e radhës, Bashkia vijonte qetësisht pak metra më larg prishjen e objekteve pa leje siç e tregojnë dhe këto pamje të sjella prej saj. Bashkia vijon të theksojë se familjet që preken nga projekti i Unazes se Madhe do të përfitojnë sistemimin në banesa sociale që mund t’i përdorin pa afat, apo edhe bonusin e qirasë për 3 vite.

Po ashtu edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se ka përfunduar procesin e verifikimit dhe matjeve për 46 objekte që preken nga projekti i Unazës së Madhe, në respektim të detyrimit ligjor dhe në funksion të procedurës së shpronësimit.

ARRSH fton banorët që kanë dokumente pronësie për objektet në këtë zonë, t’i paraqesin ato për të përfituar nga procedurat e shpronësimit dhe të dëmshpërblimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!