Banorët e Selenicës protestë për rrugën e Lumit të Vlorës, i dërgojnë letër Ramës dhe Metës

schedule11:15 - 27 Shtator, 2020

schedule 11:15 - 27 Shtator, 2020

Banorët e Selenicës kanë dalë ditën e sotme në një protestë për infrastrukturën rrugore. Ata thonë se janë kundër devijimit të Selenicës nga projekti për rrugën e Lumit të Vlorës.

Ata kanë nënshkruar një peticion drejtuar presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, prefektit të Vlorës Flamur Manaj, drejtorit të FSHZH Dritan Agolli si dhe kryebashkiakut të Selenicës Pëllumb Binaj.

“Selenica është një bashki e vendosur në Lindje të Qytetit të Vlorës me asete të jashtëzakonshme siç janë miniera qindra vjeçare e Bitumit dhe puset e Naftës në fshatin Gorisht. Këto asete i japin buxhetit të shtetit miliona dollarë ende edhe sot.

Pavarësisht kësaj, Slenica mbetet me një problem madhor, ndër vite është mungesa e infrastrukturës rrugore. Për një moment u duk se problemi do zgjidhej bashkë me rrugën e Lumit të Vlorës që përfshirë në projektin e asaj edhe aksin Peshkepi-Selenicë, i projektuar të lidhej me autostradën Levan -Tepelenë me anë të një ure që do të kalonte mbi Lumin e Vjosës.

Por shpresa u shua kur FSHZH anuloi procesin e investimit. Arsyet e këtij anulimi janë ende të panjohura. Ky është një ndëshkim i pamerituar për qytetin dhe fshatrat përreth, që ju premtua një rrugë model. Ju lutemi që me autoritetin tuaj të mund të ndërhyni dhe të bëni të mundur hapjen edhe një herë të këtij investimit”, thuhet në shkresën e tyre./mv. abcnews.al