Banorët e Piskovës sërish protestë kundër landfill-it, Salianji: Duke qenë larg, qeveria mendon se vidhet më lehtë

schedule19:56 - 29 Janar, 2022

schedule 19:56 - 29 Janar, 2022

Banorët e fshatit Piskovë në Përmet kanë protestuar sot sërish kundër ndërtimit të vendit të grumbullimit të plehrave në afërsi të fshatit të tyre.

Në përkrahje të tyre sot ka qenë deputeti i PD dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PD, Ervin Salianji dhe i deleguari i PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko.

Banorët e Piskovës kanë qenë kategorikë në kërkesat e tyre që landfill-i të mos ndërtohet në territorin e fshatit të tyre aq më tepër në një zonë të mbrojtur siç është Bredhi i Hotovës pasi krijon impakt negativ në mjedisin turistik dhe parkut natyror të Bredhit te Hotovës.

Deputeti Ervin Salianji ka qenë i ashpër në deklaratën e tij për këtë çështje pasi ka përmendur se kjo çështje do të bëhet problem nga PD dhe do t’i dërgohet për ndjekje të mëtejshme SPAK pasi bëhet fjalë për një procedurë që bie ndesh me vullnetin e banorëve dhe që dëmton mjedisin në zonën e mbrojtur.

“Pavarësisht temperaturave të acarta, ne i japim zë qytetarëve kudo që ata kanë shqetësim dhe kudo që ka një hall, një vjedhje. Është një prej zonave më të bukura të Shqipërisë… Por duke qenë se është larg, qeveria ka menduar se mund të vidhet më kollaj duke ndërtuar një landfill. Kanë ndërtuar duke mos pyetur banorët, duke mos marrë asnjë vlerësim për ndikimin në mjedis..”

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe i deleguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko i cili nga ana e tij ka theksuar se PD do të kërkojë me ngulm ndalimin e këtij projekti që dëmton mjedisin dhe krijon probleme serioze në mirëqenien shëndetësore të banorëve të Piskovës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!