Banorët dhe policia e zonës në alarm, shpëtohen 4 alpinistë të bllokuar në malin e Gramozit

schedule22:45 - 12 Janar, 2020

schedule 22:45 - 12 Janar, 2020

Katër alpinistë i kanë shpëtuar motit të keq mbrëmjen e sotme. Alpinistët ishin nisur herët për ngjitjen në malin e Gramozit por me sa duket kanë humbur kontaktet.

Menjëherë është sinjalizuar policia e Kolonjës, e cila së bashku me banorë të zonës, kanë bërë të mundur lokalizimin e alpinistëve.

Alpinistët janë në gjendje të mirë shëndetësore, dhe tashmë janë akomoduar në hotelet e qytetit të Ersekës.

Njoftimi i policisë:

“Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falenderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës“./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!