Në shenjë proteste për gjendjen në të cilën gjendet rruga, dhjetëra banorë kanë bllokuar aksin rrugor Durrës -Shijak. Banorët e Xhafzotaj dhe Shijakut kanë bllokuar për disa minuta këtë aks, duke mos lejuar kalimin e automjeteve.
Kërkesa e protestuesve është ndërhyrja e menjëhershme për rikonstruktimin e rrugës, pasi sipas tyre segmenti është në gjendje shumë të keqe.
“Jemi në zemër të Shqipërisë, të bëhet rruga e re”, shprehet një banor.
Rruga Shijak-Durrës përshkohet në të dyja korsitë e saj nga banesa dhe biznese, duke u konsideruar ndër akset më përqendrimin më të madh të zhvillimit ekonomik. Mos marrja e asnjë mase edhe pse protestat kanë qenë të vazhdueshme, bizneset kanë vendosur mos ti paguajnë shtetit asnjë detyrim.
“Kam i rregullt me taksat. Është rruga më e mjerë. Do detyrohemi të mos paguajmë taksat, Afganistani është më mirë. Këtu është lemeri”, tha një biznesmen.
Nga “Kodra e Rrashbullit” e deri në afërsi të “Katër Rrugëve” aksi është totalisht i amortizuar dhe i pakalueshëm. Përveçse emërtimit, asgjë tjetër nuk ngjan më një rrugë nacionale. Ky segment 5-kilometër i gjatë por mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë të plotë. Që prej ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës, rruga Durrës-Shijak duket se është anashkaluar nga autoritetet. Dy vite më parë, nga Durrësi kryeministri Rama premtoi rikonstruksionin e kësaj rruge, por dhe sot e kësaj dite në këtë aks nuk është mbushur asnjë gropë.